Analisti Artan Hoxha shprehu skepticizëm lidhur me dosjen e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Sipas tij, materiali fillestar i paraqitur nga SPAK-u nuk ishte bindës dhe nuk i plotësonte kriteret për të ngritur dyshimin e arsyeshëm mbi veprat penale të korrupsionit.
Hoxha shtoi se edhe mbrojtja e Veliajt nuk ka qenë e fortë dhe këmbëngulëse në rrëzimin e argumentave të Prokurorisë, duke e cilësuar atë si “dobësi”.
“Unë mendoj që Veliajn do ta shohim në dy aspekte: në raportin e tij me sistemin e drejtësisë dhe në raportin e tij politik. Këto dyja duhen parë së bashku, sepse janë dhe të pandarshme. Atë që pamë në rastin Veliaj është se SPAK i ka qëndruar hipotezës fillestare, në llojet e veprave penale të pretenduara. Mua ai material fillestar i SPAK-ut nuk ma ka mbushur mendjen, që është plotësuar dyshimi i arsyeshëm për veprat e korrupsionit pasiv kombinuar me korrupsionin aktiv të atyre që kanë dhënë, sipas SPAK-ut, para,” – tha Hoxha, në emisionin “Debat nga Alba Alishani” në A2CNN.
Ai theksoi se krahasimi me mbrojtjen e ish-kryeministrit Sali Berisha tregon një diferencë të qartë:
“Kur krahasoj se si dilnin në mënyrë sistematike avokatët e zotit Berisha, me shumë siguri dhe me kundërargumenta ndaj argumentave të SPAK-ut, dhe shoh edhe se si kanë reaguar avokatët e zotit Veliaj, shoh edhe këtu dobësi.”
Analisti nënvizoi se për të kuptuar plotësisht këtë çështje, duhet parë edhe aspekti politik i të akuzuarit, duke sugjeruar se përplasja mes drejtësisë dhe politikës është e pandarë në këtë rast.



