Avokati i njohur Arben Llangozi ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me seancën dëgjimore në Kuvend, ku drejtuesit më të lartë të institucioneve të drejtësisë raportuan përpara deputetëve mbi punën dhe “sukseset” e tyre. Në reagimin e tij, Llangozi shprehet se ajo çfarë ndodhi në sallën e Kuvendit ishte një “paradë fjalësh boshe” dhe një “shfaqje e radhës e reformës në drejtësi”, ku secili prej drejtuesve kërkonte të shpëtonte imazhin e vet në një sistem që tashmë, sipas tij, “nuk ka më as besim, as dinjitet”.
“Një zë që foli me ndershmëri”
Megjithatë, në gjithë këtë atmosferë që ai e përshkruan si të lodhur nga propaganda, Llangozi veçon një zë që, sipas tij, foli me ndershmëri dhe profesionalizëm –atë të Prokurorit të Përgjithshëm.
“Sistemi është i sëmurë nga brenda,” thekson ai, duke iu referuar fjalës së Prokurorit të Përgjithshëm, i cili, ndryshe nga drejtuesit e tjerë të institucioneve, sipas Llangozit, “pati guximin të thotë të vërtetën”.
Në reagimin e tij, avokati thekson se “SPAK-u dhe disa struktura të tjera janë kthyer në zyrë marketingu të vetes, që punojnë më shumë për kamerat dhe publikojnë bisedat e SKAI-t sesa për drejtësinë”. Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm, sipas tij, “foli me qetësi, ndershmëri dhe ndjenjën e profesionistit të vërtetë”.
Llangozi nënvizon se në fjalën e tij, Prokurori i Përgjithshëm pranoi ekzistencën e një problemi të madh në sistem: “Në radhët e prokurorëve të rinj mbizotëron arroganca, mungesa e etikës dhe prepotenca”.
“Këta të rinj të dalë nga filtrat e ‘reformës’ nuk e kuptojnë as rolin e tyre, as kufirin mes pushtetit dhe ligjit. Ata sillen si mbretër të vegjël nëpër zyra, që vendosin fatet e njerëzve pa asnjë përgjegjësi, pa asnjë ndjeshmëri njerëzore”, shkruan ai.
Sipas Llangozit, “asnjëherë më parë në historinë e shtetit shqiptar nuk janë parë prokurorë që keqtrajtojnë qytetarë, që përdorin arrestin si mjet presioni, apo që shkojnë aq larg sa të përplasen me avokatët – përfaqësues të ligjit që duhet t’i respektojnë, jo t’i sulmojnë”.
Avokati ironizon faktin se këto sjellje vijnë nga “produkti i reformës në drejtësi”, duke thënë se “në vend që të sillte profesionalizëm dhe ndershmëri, reforma ka prodhuar arrogancë dhe mungesë humanizmi”.
“Në një det arrogance, ai (Prokurori i Përgjithshëm) foli me ndershmëri. Në një sistem të kapur nga propaganda, ai guxoi të pranojë realitetin,” shkruan Llangozi, duke shtuar se fjalët e tij “ishin si një shuplakë për gjithë këtë fasadë”.
Në vijim të reagimit, Llangozi e akuzon drejtpërdrejt SPAK-un se është “kthyer në aparat propagandistik”, që prodhon “lajme për portalet, jo drejtësi për qytetarët”.
“Aty ku duhet të kishte hetim të paanshëm, ka regji televizive. Aty ku duhet të kishte prova, ka rrjedhje dosjesh. Dhe aty ku duhet të kishte dinjitet institucional, ka bashkëpunim me media që luajnë rolin e ‘Zyrës së Shtypit’ për SPAK-un, duke bërë publicitet për çdo arrestim sikur të ishte një premierë hollivudiane,” shkruan ai.
Sipas avokatit, “reforma në drejtësi na premtoi Europën, por na solli një drejtësi që vuan nga komplekset e famës: prokurorë që duan të duken më shumë se të dëgjojnë, hetime që fillojnë në zyrë por përfundojnë në televizor, dhe një sistem ku njeriu është harruar.”
Në përfundim të reagimit, Llangozi thekson se fjala e Prokurorit të Përgjithshëm ishte “e vetmja që tingëlloi normale”.
“Ai foli si jurist, jo si propagandist. Si njeri që kërkon të korrigjojë, jo si zyrtar që kërkon të lavdërojë veten. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, fjala e tij u ndje e vërtetë, sepse ishte e vetmja që kishte shpirt, ndershmëri dhe kuptim,” shkruan ai.
Në mbyllje, Llangozi thekson:
“Reforma në drejtësi u bë për të pastruar korrupsionin, por përfundoi duke pastruar ndjeshmërinë njerëzore. Dhe kjo është prova më e qartë se arroganca nuk është drejtësi – është sëmundja e saj.”



