Debate të ashpra, fyerje dhe tension i lartë kanë dominuar seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme për dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”. Për të katërtën herë radhazi, gjykata dështoi të marrë dëshminë e të penduarit të tretë të drejtësisë, Skerdi Tase.
Shkak për përplasjet u bë vendimi i trupës gjykuese për të refuzuar kërkesën e avokatëve mbrojtës për të pasur të plota procesverbalet e deklarimeve të Erion Alibejt, të dhëna në vitin 2022, në fazën paraprake të hetimeve.
Avokatët kërkuan përjashtimin e trupit gjykues, duke e akuzuar për njëanshmëri, ndërsa situata precipitoi me një përplasje të drejtpërdrejtë mes prokurorit Behar Dibra dhe avokatit Gentian Rumano.
“A mund ta ndërprisni, sepse nuk do të dëgjojmë idiotësirat e këtij idioti!”, shpërtheu prokurori Dibra drejtuar avokatit Rumano, në një moment që tensionoi sallën.
Avokati reagoi menjëherë, duke e cilësuar deklaratën si vepër penale, përpara se të braktiste sallën e gjyqit.
Për shkak të mbetjes pa përfaqësues ligjor të të pandehurit Henrik Hoxhaj, seanca u ndërpre dhe u shty për të martën, duke regjistruar kështu një tjetër dështim në përpjekjen për të dëgjuar dëshminë e të penduarit Tase.
Në këtë fazë të procesit, tensioni mes prokurorisë dhe mbrojtjes duket se po kalon çdo kufi procedurial, ndërsa gjykata përballet me sfidën për të ruajtur qetësinë dhe vijueshmërinë e një prej dosjeve më të rëndësishme të drejtësisë së re.



