Qeveria ka hedhur për konsultim publik një rregullore që përcakton procedura të detajuara për vlerësimin dhe shqyrtimin e investimeve të huaja direkte në sektorë të ndjeshëm, si infrastruktura kritike, teknologjia, energjia, të dhënat sensitive dhe media. Dokumenti synon të mbrojë sigurinë kombëtare, rendin publik dhe të garantojë që investimet strategjike të mos paraqesin rrezik për transparencën, demokracinë apo sovranitetin informativ të vendit.
Në relacion thuhet se kërcënimet hibride, si sulmet kibernetike, dezinformimi dhe rrjedhjet e të dhënave, përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare. “Investimet në sektorët e medias dhe informacionit duhet të trajtohen me kujdes të veçantë për të shmangur ndikimet e dëmshme. Rregullorja synon të krijojë një balancë mes tërheqjes së kapitalit të huaj dhe mbrojtjes së interesit publik dhe transparencës,” theksohet në relacion.
Sipas dokumentit, do të krijohet Komiteti Ndërministror për shqyrtimin e investimeve, ku do të përfshihen institucionet e sigurisë, ekonomisë dhe teknologjisë. Çdo investim që prek një sektor të ndjeshëm do të kalojë në filtrat e verifikimit, me afate të qarta dhe mundësi për ndalim ose anulim të aktivitetit në rast rreziku.
“Investimet që lidhen me infrastrukturën kritike, teknologjinë e ndjeshme, aksesin në informacion apo lirinë e medias do të vlerësohen për rrezik potencial ndaj sigurisë dhe rendit publik. Komiteti ndërministror ka të drejtën të ndalojë ose të vendosë kushte mbi një investim kur ai paraqet rrezik. Marrja e autorizimit do të jetë kusht për licenca, kontrata publike dhe pjesëmarrje në tendera,” thuhet në relacion.
Sipas qeverisë, dokumenti nuk sjell kosto financiare për buxhetin dhe përputhet me standardet e Bashkimit Europian, si pjesë e detyrimeve të Shqipërisë në Kapitullin 30 të procesit të integrimit europian.



