back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetIsh dhjetoristi: Gabimi fatal i Preç Zogajt solli Berishën në krye të...

Ish dhjetoristi: Gabimi fatal i Preç Zogajt solli Berishën në krye të PD-së

Edmond Trako, intelektual i njohur dhe bashkëthemelues i Partisë Demokratike në dhjetor 1990, riktheu kujtimet nga Lëvizja e Dhjetorit gjatë një lidhjeje telefonike në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV. Ai akuzoi Preç Zogajn se në ditët vendimtare të themelimit të PD-së kishte penguar studentin Shenasi Rama të nxirrte jashtë sallës Sali Berishën, i cili më pas mori drejtimin e partisë.

Trako tha se asokohe Shenasi Rama nuk e linte Berishën të qëndronte në takim, por ndërhyrja e Zogajt solli ndryshimin e situatës:
“Preçi insistonte dhe i thoshte Shenasiut: ‘Lëre, se është doktor’. Atje ka bërë një nga gabimet më të mëdha,” u shpreh Trako.

Ai kujtoi edhe një episod me shkrimtarin e madh Ismail Kadare, i cili e kishte qortuar Zogajn për mbështetjen ndaj Berishës. Sipas Trakos, Kadare kishte paralajmëruar se ndikimi i Berishës do të kishte pasoja afatgjata për PD-në dhe Shqipërinë:
“Kadare i tha: ‘Ç’na ke bërë o Preç me këtë lobim’. Preçi i ishte përgjigjur: ‘Ta provojmë një herë’. Ndërsa Kadare i tha: ‘Kur të mbarojë ajo provë, do ta shikosh se sa vonë do të jetë’.”

Trako theksoi se koha e ka vërtetuar paralajmërimin e Kadaresë, duke argumentuar se PD u deformua që në fillesat e saj. Sipas tij, strukturat e Sigurimit të Shtetit dhe emisari i Ramiz Alisë, futën në PD informatorë dhe njerëz të kontrollit, gjë që e dëmtoi që në nisje pluralizmin.

“Fatkeqësisht, atë parti e dominuan, e manipuluan dhe e pushtuan. Sigurimi e mbushi PD-në me spiunë. Nuk është rastësi që në listën e themeluesve ka mbetur vetëm një njeri: Berisha,” shtoi Trako.

Ai kujtoi gjithashtu se i pari person i përjashtuar nga Partia Demokratike ka qenë Frok Çupi, një tjetër figurë e hershme e lëvizjes, duke e cilësuar procedurën e përjashtimit të tij si “skandaloze”.

Deklaratat e Trakos hapin sërish debatin për momentet e para të pluralizmit dhe rolin që figurat kyçe të asaj kohe patën në drejtimin që mori PD përgjatë 35 viteve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat