Ish-kryetari i PD-së në Kukës, Ibsen Elezi, ka deklaruar se Partia Demokratike ka humbur funksionin e saj politik dhe institucional, duke u shndërruar sipas tij në një “parti familjare” të ish-kryeministrit Sali Berisha. Në një intervistë për “Ditari i Pasdites” në A2 CNN, Elezi u shpreh se PD nuk përfaqëson më një forcë demokratike dhe se degradimi ka nisur vite më parë.
Elezi tha se situata aktuale në PD është produkt i prishjes së rregullave të lojës dhe mungesës së garës së vërtetë të brendshme. Sipas tij, lëvizjet që shihen sot në parti nuk synojnë reformim, por vetëm pozicionime personale të politikanëve të veçantë.
“Këto lëvizje çfarë do të fitojnë? Vetëm që të shkojnë Salianji dhe Alimehmeti në një moment të dytë për të marrë një pozicion politik. Ndryshimet duhet të jenë rrënjësore, sistemi i rregullave demokratikë duhet vendosur, përndryshe loja nuk funksionon,” u shpreh Elezi.
Ai përshkroi gjendjen e PD-së me një metaforë nga romani i Hemingueit:
“Me Bashën dhe Berishën është vrarë aq keq funksionimi institucional, sa sot PD është si peshku i Hemingueit, kur e nxorrën në breg, i kishte mbetur vetëm skeleti.”
Elezi kujtoi edhe një bisedë me të ndjerin Sokol Olldashi në vitin 2013, ditën kur ai shpalli kandidaturën për kreun e PD-së. Ai tha se e kishte paralajmëruar Olldashin të mos hynte në atë garë, sepse rregullat po ndryshonin dhe procesi ishte i deformuar.
“Që aty u pa që kjo parti është e vdekur,” theksoi Elezi. Sipas tij, Olldashi vetë kishte parashikuar se PD do të shndërrohej në një parti familjare.
“Në fund fitoi Lulzim Basha dhe Olldashi më tha: ‘Kjo parti do të kthehet në një parti familje’. Dhe kështu ndodhi. PD është parti e familjes së Sali Berishës dhe grupit të tij,” deklaroi Elezi.



