Transfertat kombëtare në euro po rriten me ritme të shpejta për të dytin vit radhazi. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, deri për 10 muajt e parë të vitit në sistemin kombëtar të pagesave në Euro, AIPS Euro, janë kryer afërsisht 265 mijë transferta në monedhën europiane.
Transfertat në Euro janë rritur me 33% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vlerë, transfertat për 10-mujorin arritën në pothuajse 3.3 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 27%.
Në muajin tetor u shënuan nivelet më të larta mujore të transfertave në euro, si në numër, ashtu edhe në vlerë, duke tejkaluar madje nivelet e muajve të verës.
Shifrat e transfertave në euro, si në numër, ashtu edhe në vlerë, qysh në fund të 10-mujorit 2024 kanë kaluar vlerat e regjistruara në vitin e plotë kalendarik 2023.
Rritja e numrit dhe vlerës së transfertave kombëtare bankare në euro është një tregues i rritjes së mëtejshme të përdorimit të valutës në transaksionet e brendshme ekonomike në Shqipëri.
Në vitet e fundit, flusket valutore hyrëse në ekonominë shqiptare janë rritur ndjeshëm. Kjo rritje duket të jetë e lidhur me eksportin e shërbimeve, kryesisht me turizmin, por edhe me investimet e mëdha nga jashtë në tregun e pasurive të paluajtshme. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregtuan se deri në fund të muajit shtator, depozitat bankare në Euro ishin në rritje me 12% krahasuar me një vit më parë./SCAN tv