Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, doli sot në konferencë për shtyp së bashku me trajnerin Silvinjo, në prag të sfidës së nesërme ndaj Letonisë. Mbrojtësi kuqezi u shpreh se ekipi është përgatitur maksimalisht dhe se synimi i vetëm është fitorja.
“Sigurisht që ekipi është përgatitur mirë, kemi pasur kohë dhe jemi pozitivë. Nuk do të jetë e lehtë, kemi presion, por përqendrimi do të jetë i lartë. Na duhen tre pikët për të vazhduar rrugëtimin tonë,” tha ai.
Duke analizuar ndeshjen e parë dhe sfidën e fundit të Letonisë me Serbinë, Gjimshiti pranoi se ekipi ka bërë gabime në të kaluarën, por shprehu besimin se nesër do të jetë ndryshe: “Në futbollin e sotëm nuk fitohet më lehtë si disa vite më parë. Nesër duhet të marrim pikët që të mbajmë gjallë shanset e kualifikimit – gjithçka është ende në dorën tonë.”
Kapiteni u bëri thirrje edhe tifozëve: “Mesazhi është që do japim 100% për të realizuar ëndrrën tonë, siç kemi kaluar për dy Europianë. Kualifikimi në Botëror do të ishte historik për Shqipërinë. Do japim maksimumin që tifozët ta shijojnë këtë ndeshje.”