Antonina Favorskaja, Konstantin Gabov, Sergej Karelin dhe Artjom Kriger duhet të kalojnë gati gjashtë vjet në një koloni ndëshkimi në Rusi. Një gjykatë në Moskë gjykoi, se të gatër gazetarët janë gjetur fajtor për “ekstremizëm”. Ata kanë prodhuar fotografi dhe material filmik për kanalin e youtube të kritikut të Kremlinit që ka ndërruar jetë në burgjet ruse Aleksej Navalny.
Trupi gjykues në gjykimin e tij ndoqi linjën e prokurorisë, që kërkoi për secilin pesë vjet e njëmbëdhjetë muaj heqje lirie. Të akuzuarit i hodhën poshtë akuzat.
Drejtori i përgjithshëm i DW: “Gazetarët trajtohen si kriminelë të kalibrit të rëndë”
Kameramani Gabov dhe gazetari televiziv Karelin kanë qenë bashkëpunëtorë të DW-së. Favorskaja dhe Kriger përpara arrestimit punonin për agjencinë e pavarur të lajmeve “Sota Vision” dhe raportonin për proceset gjyqësore kundër të burgosurve politik.
Peter Limbourg, drejtori i përgjithshëm i DW-së, deklaroi pas shqiptimit të vendimit: “Me gjykimin kundër katër gazetarëve Rusia tregon fare qartë, se është shtet i padrejtë. Qeveria ruse përpiqet me të gjitha forcat të mbulojë faktet dhe gazetare e gazetarë të guximshëm i nxjerr si kriminelë të kalibrit të rëndë para gjyqit. Çdo ditë që Antonina Favorskaja, Konstantin Gabov, Sergej Karelin dhe Artjom Kriger e kalojnë në burg, është e tepërt: Ata dhe familjet e tyre kanë solidaritetin tonë të plotë.”
Peter Limbourg, drejtori i përgjithshëm i DW-së duke folur në konferencën e DW, Global Media ForumPeter Limbourg, drejtori i përgjithshëm i DW-së duke folur në konferencën e DW, Global Media Forum
Varrimi i Navalnyt
Favorskaja ka ndjekur proceset kundër Navalnyt dhe ka vizituar koloninë e ndëshkimit “Polarvolf” në qytezën Charp në Siberi. Aleksej Navalny ndërroi jetë aty më 2024 në rrethana ende të pazbardhura.
Pas varrimit të tij Favorskaja dokumentoi, se si njerëzit vendosnin lule në varreza. Gjatë një vizite të saj në varreza ajo u arrestua më 17 mars. Një muaj më vonë u arrestuan edhe Karelin dhe Gabov e në qershor 2024 ishte arrestuar Artjom Kriger.
Kushte tronditëse burgimi
Tetorin e kaluar Gabov dhe Karelin i raportuan DW-së për kushtet e rënda të burgimit, me të cilat ata u përballën gjatë arrestit hetimor. Sipas tyre, ata i kishin strehuar në qeli të tejmbushura dhe të pista – me “aspak hapësirë private”, tha Karelin. Avokatja mbrojtëse e tij Katerina Tertuchina kushtet e burgimit i ka cilësuar si “torturë”./DW