Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar sërish të japë përgjigje konkrete në lidhje me ngërçin institucional dhe pamundësinë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e nisjes së ndërtimit të objekteve për banim të përballueshëm, Kurti u pyet nga gazetarët për takimin me presidenten Vjosa Osmani dhe për përgjegjësinë që ai mban në lidhje me krizën politike që po zvarritet prej javësh. Megjithatë, shefi i ekzekutivit në detyrë nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.
“Për ato çështjet tjera të bllokimeve janë në Prishtinë, ne jemi për ndërtim këtu”, deklaroi shkurt Kurti, duke shmangur komentet për situatën e tensionuar në Kuvend.
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ende të konstituohet, ndonëse dje u zhvillua përpjekja e tetëmbëdhjetë për këtë proces. Seanca u ndërpre sërish pa ndonjë rezultat konkret dhe pritet të rifillojë nesër në orën 11:00.
Ngërçi institucional ka rritur shqetësimin në opinionin publik dhe është bërë objekt debatesh të forta politike, ndërkohë që partitë vijojnë përplasjet për ndarjen e posteve kyçe dhe krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të fundit.