back to top
6.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuAktualitetKosovaKurti: Kryeministri nuk formon Asociacione të komunave

Kurti: Kryeministri nuk formon Asociacione të komunave

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të martën se si shef i qeverisë së vendit nuk mund të formojë Asociacionin e komunave serbe gjë që sipas tij, është përgjegjësi e vet komunave.

Ai i bëri këto komente gjatë një konference shtypi duke theksuar se Kosova tashmë ka një Asociacion komunash.

“Nëse dikush e dëshiron edhe një Asociacion tjetër, atëherë kjo duhet të vijë nga komunat. Nuk formon kryeministri asociacione të komunave, as nuk i themelon. Komunat asociohen me njëra-tjetrën. Është në kuptimin e nocionit Asociacion, liria i asociimit jo imponimi i asociimit. Nëse kryeministri do të themelonte një Asociacion të komunave ky do të ishte një imponim ndaj komunave. Asocimi është liri dhe e drejtë, këtë se bëjë dot unë, aq më pak ndonjë shtet fqinj që mund të ketë pretendime të tilla”, tha ai.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është edhe pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë të arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër.

Në tetorin e vitit 2023 zyrtarë të lartë evropianë i kërkuan Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe i dorëzuan një projekt statut për të.

“Nëse Asociacioni është i imponuar prej lartë e nga larg nuk është më asociim. Për të qenë asociim, duhet të jetë i lirë dhe i drejtë. Unë kam ofruar ta shkruaj, jam refuzuar. Ju e dini që unë jam shumë konstruktiv, kreativ, i gatshëm për bisedime e dialog por unë kam kërkuar ta nënshkruajmë marrëveshjen”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se Asociacioni nuk mund të bëhet përparësi pasi kjo sipas tij është pikëpamje e Beogradit.

“Marrëveshja bazike është kryefjala e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë pastaj vijnë të tjerat. Serbia është e interesuar që marrëveshja bazike të harrohet, aneksi i zbatimit të harrohet, dialogu të shkatërrohet dhe të vendoset si qerrja para kuajve Asociacioni”, tha ai.

Serbia ngulë këmbë në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe ndërsa Kosova akuzon palën serbe se po këmbëngul në zbatimin e pjesshëm të marrëveshjes duke e vlerësuar këtë qëndrim si joserioz.

Të hënën, qeveria e Serbisë miratoi një projektligj që e shpallë Kosovën si zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, me të cilin siç thuhet rregullohen të drejtat për mbrojtje të veçantë sociale dhe projektligjin për kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.

Këto projektligje qenë paralajmëruar nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç me 13 shtator, si masa pas shuarjes së institucioneve të Serbisë nga ana e autoriteteve të Kosovës në veri të vendit.

Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore për ato që janë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara në veri ku autoritetet mbyllën komunat paralele serbe të emëruara nga Beogradi, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme.

Kryeministri Albin Kurti tha se projektligjet e miratuara nga qeveria e Serbisë janë veprime armiqësore dhe agresive ndaj kushtetutshmërisë dhe sigurisë në Kosovë dhe ndaj atyre veprimeve duhet të japin përgjigje miqtë ndërkombëtarë.

“Por, ne kërkojmë që në këtë pyetje të përgjigjen me saktësi dhe drejtësi faktorët ndërkombëtarë që na kanë ndihmuar aq shumë, por në të njëjtën kohë duhet të vazhdojnë të na mbështesin sepse Kosova si Republikë në të cilën kanë kontribuar ata, sërish po sulmohet nga fqinji ynë verior”, tha ai.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje palëve që çështjet të diskutohen në kuadër të bisedimeve në Bruksel dhe të fillojnë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

Javën e kaluar i dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak ndërmjetësoi një takim midis kryenegociatorëve të të dyja palëve, pas të cilit u tha se nuk pati ndonjë përparim në përpjekjet për të filluar zbatimin e marrëveshjes. Zoti Lajçak tha sot se ndjehet optimist për disa përparime në procesin e bisedimeve, por pa dhënë hollësi për çfarë përparimesh bëhet fjalë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat