back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 11 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaKush është Besmir Beja, drejtori i ri i Doganave

Kush është Besmir Beja, drejtori i ri i Doganave

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka një drejtues të ri. Pas lirimit nga detyra të Gent Gazhelit dhe emërimit të tij si zëvendësministër i Mjedisit, Këshilli i Ministrave ka miratuar emërimin e Besmir Bejës në krye të Doganave.

Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të qeverisë, duke i besuar Bejës drejtimin e një prej institucioneve më të rëndësishme për ekonominë e vendit, mbledhjen e të ardhurave dhe luftën kundër informalitetit.

Besmir Beja mbante prej muajit gusht 2024 postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, detyrë që e ka ushtruar deri në emërimin e tij të ri. Me këtë lëvizje, ai merr “timonin” e Doganave në një moment të rëndësishëm për reformat fiskale dhe forcimin e kontrollit doganor.

Beja ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 2008, ndërsa më pas ka vijuar studimet master në “Central European University” në Budapest.

Ai ka një përvojë të gjerë profesionale në sektorin privat, në organizata ndërkombëtare dhe në administratën publike, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Gjatë karrierës së tij, ka qenë pjesë e Sekretariatit Teknik të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi dhe ka shërbyer si Këshilltar i Ministrit të Drejtësisë.

Për disa vite, Besmir Beja ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit në Ministrinë e Drejtësisë, duke pasur një rol kyç në hartimin dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.

Nga viti 2023 deri në korrik 2024, ai ka ushtruar detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, përpara se të emërohej Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, post që mbajti deri në vendimin e fundit të qeverisë.

Me mbi 12 vite përvojë profesionale, Besmir Beja ka kontribuar kryesisht në fushën e zbatimit të ligjit, hartimit të akteve ligjore dhe nënligjore, si dhe në proceset e reformimit të sistemit të drejtësisë dhe administratës publike.

Në krye të Doganave, Beja pritet të përballet me sfida të rëndësishme që lidhen me rritjen e të ardhurave buxhetore, modernizimin e shërbimeve doganore dhe forcimin e kontrolleve kundër informalitetit dhe kontrabandës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat