Adriatik Lapaj nuk ka dhënë ende një përgjigje definitive për një kandidaturë të mundshme për kryebashkiak të Tiranës, nën siglën e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”.
Në një intervistë për “Ditarin” e A2 CNN, Lapaj u shpreh me vendosmëri, por pa konfirmuar asgjë: “Edhe mundet edhe mundet jo, ngelet për tu parë”.
Ai la të hapur mundësinë e koalicioneve me parti të tjera, pavarësisht se përpjekja e tij e parë për bashkëpunim me “Nisma Thurje” të Endri Shabanit ka rezultuar problematike.
“Ne do të ecim drejt përpara, vetëm siç jemi. A mund të bëjmë marrëveshje me parti të tjera? Po patjetër. Se fakti që dështon njëherë në dashuri, nuk do të thotë se nuk do të dashurohesh më në jetë”, tha Lapaj, duke lënë të kuptohet se negociatat për koalicione me PD dhe grupin parlamentar të Ilir Metës, me ndihmën e Sali Berishës, mund të jenë në horizont.