Pas më shumë se katër orësh deputeti i PS Plarent Ndreca ka dalë nga ambientet e SPAK, pasi u mor i pandehur për akuzën e shkeljes e pabarazisë në tendera lidhur me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend, në kohen kur ai ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.
“Dhashë deklarime në SPAK në vijim të hetimeve të nisura nga ana e Prokurorisë. Ishte kërkesa ime për të dhënë deklarime. Isha në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. Jam njohur me akuzën. Qëndrime rreth akuzës do të jap në një moment tjetër”, tha ai para gazetarëve, shkruan TCH.
Deputeti i Partisë Socialiste u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme më 25 tetor. Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.
“Duke iu përgjigjur interesit të gjerë publik, ju komunikojmë se më dt.25.10.2024, të pandehurit, Plarent Ndreca, i është komunikuar, përmes avokatit të tij, përfundimi i hetimeve për procedimin penal nr.240/2021 për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal. Më shumë detaje do të vijojnë në një moment të dytë”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.