back to top
5.5 C
Tirana
E hënë, 22 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetMbyllja e platformave sociale Tik Tok dhe SnapChat/ Nis konsultimi publik me...

Mbyllja e platformave sociale Tik Tok dhe SnapChat/ Nis konsultimi publik me prindër dhe mësues

Nga gjimnazi “Sami Frashëri” në kryeqytet,  ka nisur konsultimi publik me prindër, mësues, e staf mbështetës mbi fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes tyre për të parandaluar shfaqet e dhunës tek të miturit, në të gjitha format e saj, si dhe për të diskutuar mbi perspektivën e aksesit të nxënësve dhe adoleshentëve në platformat sociale TikTok dhe SnapChat.

Konsultimi, i cili do të shtrihet në të gjitha shkollat e vendit u lançua nga kryeministri Edi Rama, duke marrë shkas nga ngjarja tragjike e disa ditëve më parë, e vrasjes së adoleshentit 14 vjeçar nga bashkëmoshatari i tij.

“Do të nisim sot dëgjesat dhe këshillimet me prindërit sa i përket fuqizimit të mëtejshëm të mekanizmit lidhur me parandalimin e çdo forme dhune, por gjithashtu edhe bullizmit, të fokusuar tek rrjetet sociale.” u shpreh Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, në çelje të takimit ku merrte pjesë edhe  Kryeministri Edi Rama – teksa theksoi se ngjarja e ndodhur disa ditë më parë është vërtetë një ngjarje tragjike dhe një moment për të reflektur dhe për të fuqizuar në mënyrë të vazhdueshme instrumentet parandaluese që janë aktualisht të ngritura.

Gjatë takimit të zhvilluar me prindërit e nxënësve në shkollën “Sami Frashëri”, kryeministri Edi Rama mori disa propozime prej tyre.

https://426b98340f96e7339042ad8a689707b3.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-40/html/container.html

Kryetar i këshillit të prindërve në shkollën ‘Sami Frashëri’ tha se shumë prindër janë dakord për hapjen e një shkolle speciale për nxënësit problematikë.

Kryetar i këshillit të prindërve në Sami Frashëri: Është normale shqetësimi dhe ankthi që krijon te prindi por mua më është dukur sikur është trajtuar problemi shkolla, shkolla. Thelbi është modeli i krijuar nga prindërit por edhe nga mediat. AMA duhet të rishohë se ka emisione që stimulojnë dhunë verbale dhe fizike.

https://426b98340f96e7339042ad8a689707b3.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-40/html/container.html

Mendoj se rasti ekstrem, shqetësimi i 99% i prindërve. Duhet të dallojmë fëmijët problematikë dhe sociopat. Shumë prindër mendojnë se nëse do kishte një shkollë speciale. Nëse do ishte në shkollë speciale, as ai nuk do ishte vrarë, as ai nuk do ishte në burg. Dëgjova një shembull kur mësuesi i thoshte nuk do të vë mungesë vetëm mos hajde në mësim. Jam i bindur se nëse do ishin matur rastet, do vihej një rënie e rasteve problematike në shkolla. Edhe 100 polica po të jenë, ata do e gjejnë një mënyrë për të bërë sherre.

Për t’ju kthyer problematikës së modelit, nuk dua të bëhem specialist, aktivizimi i prindërve që nuk njohin as mësuesin. Tiktok e kanë obsesion, mediat sociale, teknologjia ka dy anë, riskun dhe të mirën. Teknologjia që ka ardhur tani, duhet rregulluar. Është e vështirë, por që duhet një rregullim patjetër, duhet një kod rrugor. Na kapur papritur kjo pjesë.

Rama: Një figurë e madhe e politikës franceze para se të vdiste dha një intervistë dhe ndër të tjera tha ‘jam shumë i lumtur që jetova kohën e lindjes së internetit dhe jam i lumtur që po iki para se interneti ta shkatërrojë këtë botë’. Ajo që unë kuptoj nga diskutimi, na është dashur kohë dhe tani jemi në mundësin për ta bërë sepse futëm informimin e prindërve për nota dhe mungesa por kjo është vetëm njëra pjesë.

Ndërkohë që informimin për ecurinë e fëmijës, janë të rëndësishme për të kuptuar ishte s’ishte. Tani me sistemin që kemi, jemi duke bërë gati futjen e një informimi më të plotë ku është edhe pjesa e sjelljes ose marrëdhënies sociale të çdo nxënesi. Dhe kjo lidhet me sa prindërit vetë do aktivizohen.

Fjala e Kryeministri Edi Rama:

Shumë faleminderit për mundësinë! Natyrisht që ne jemi të dëshiruar që të bëjmë një bashkëbisedim dhe jo thjeshtë një mbledhje ku ne të flasim dhe ju të dëgjoni. 

Më vjen mirë që këtu është një grup miks drejtuesish të shkollave, prindërish nga këshilla të ndryshëm të prindërve dhe kështu mund ta shikojmë temën në kënde të ndryshme.

Por përpara sesa ta kaloj fjalën tek ju unë do doja të thoja pak gjëra. 

Së pari, çka po diskutojmë dhe e gjithë problematika që lidhet me shqetësimin e provokuar nga një tragjedi, nuk është një diskutim që ne na gjen të papërgatitur apo na gjen në kushtet kur kemi menduar të bëjmë ca gjëra, por akoma nuk kemi nisur t’i bëjmë, aspak.

Ne jemi sot në kushtet kur një proces i tërë ndryshimi, jo vetëm në aspektin e infrastrukturës fizike të shkollave, po në të gjitha apektet, ka nisur prej shumë kohësh dhe nuk dua t’iu marr kohën tuaj të diskutimeve, duke bërë një përshkrim të të gjitha gjërave, por dua t’ju them vetëm një element me të cilin jemi marrë shumë në periudhën sidomos të viteve 2023 dhe të këtij viti, që është elementi i ndërveprimit lidhur me rastet e dhunës edhe të bullizmit në shkolla dhe kemi praktikisht 2030 raste të raportuara, të cilat ka pasur më shumë, po këto 2030 janë të raportuara dhe të cilësuara si raste problematike të dhunës ose bullizmit. Nga këto, në 78% të rasteve është bërë njoftimi i prindërve drejtpërdrejtë, sipas karakteristikave të rastit, në 20% të rasteve është bërë njoftim i policisë dhe pastaj në 2% të rasteve kanë qenë raste të lidhura me ambulancë, urgjencën e kështu me radhë.

Më tutje është ngritur edhe një sistem i posaçëm me Agjencinë e Sigurisë Kibernetike për rastet e dhunës dhe bullizmit online. Edhe aty kemi numra të raportuar dhe ndërveprime që kanë adresuar në një pjesë të caktuar problemi.

Tani ajo që besoj unë ju intereson juve më shumë sesa çfarë është bërë, është se çfarë konkretisht do të bëjmë ne më shumë për të krijuar më shumë qetësi, në radhë të pare, në aspektin psikologjik për gjithë familjen. Sepse nëse ka diçka që ky rast e prek tek të gjithë pa përjashtim është qetësia, në raport me çfarë ndodh me fëmijën në momentin kur prindi e lë tek dera e shkollës apo kur bëhet fjalë për fëmijë më të rritur gjimnazistë, çfarë ndodh kur fëmija del për të shkuar në shkollë dhe shkon në shkollë.

Faktikisht ne kemi një projekt që e kemi filluar prej afro një viti dhe që po e finalizojmë si projekt tani dhe besoj që deri në fund të dhjetorit do të firmosim edhe marrëveshjen, sepse bëhet fjalë për, nga njëra anë një sistem komplet të ri të monitorimit të shkollave me teknologji dhe nga ana tjetër për një financim të konsiderueshëm, që do ta marrim nëpërmjet një marrëveshje me qeverinë e Emirateve të Bashkuara dhe është një sistem i testuar dhe i provuar më së miri në Emiratet e Bashkuara me rezultate të jashtëzakonshme, që faktikisht mundëson ndjekjen në kohë reale me kamera të të gjithë procesit mësimor, të të gjithë jetës brenda mureve të oborrit të shkollës.

Çdo prind, në çdo kohë mund të ketë akses për të parë fëmijën, klasën, aktivitetin, mësuesin, duke thjeshtë bërë një kërkesë pranë shkollës dhe çdo lloj situate jashtë disiplinës mësimore është e regjistruar.

Rezultatet e atij sistemi janë nxjerrë nga një ndjekje që i është bërë atje punës së sistemit dhe gjithë ndryshimeve që ka sjellë vendosja e sistemit dhe faktikisht ka një rënie drastike të rasteve të bullizmit, të rasteve të dhunës, e kështu me radhë.

Tjetra që është e rëndësishme, po e kombinojmë me element plus të vendosjes së një kontrolli digjital të të gjitha hyrjeve dhe daljeve nga shkolla për çdo lloj mjeti metalik ose telefon, ose çdo lloj gjëje tjetër që fëmijët mund të kenë nëpër xhepa, nëpër çanta, e kështu me radhë në mënyrë që të zbatojmë strikt rregullin e vendosur, por që nuk mund të themi se zbatohet në mënyrë strikte të ndalimit të celularëve në shkollë. 

Tani duhet të jemi shumë të qartë dhe shumë të vërtetë me njëri-tjetrin, që ky problem është më i gjerë sesa kaq. Nuk është thjeshtë çfarë ndodh brenda mureve të shkollës.

Ky problem është shumë përtej policisë, nuk është thjeshtë çështje policie dhe mbi të gjitha ky problem është jo vetëm brenda mureve të shtëpisë, që të gjithë ata që kanë fëmijë në një moshë para adoleshencës apo në adoleshencë e dinë shumë mirë se çfarë lloj beteje është me ato mrrokllat, as vetëm brenda mureve të shkollës, por edhe në hapësirën mes të dyjave, në të gjithë ndërveprimet e tjera mes të dyjave dhe s’dua të zgjatem më shumë që t’ju them që vetëm sikur për një moment të imagjinonim që atmosfera e mbingarkuar, me gjuhë të egër, me sjellje të egër, që përcillet përmes kanaleve mediatike të zbutej, të ishte një zbutje e përgjithshme.

Por këtë s’është se e kemi shumë në dorë dhe nuk e di se çfarë ilaçi ka.

Thënë të gjitha këto sigurisht që ideja për të ndaluar TikTokun dhe/ose SnapChat si dy platforma që janë problematike, – të gjitha platformat janë problematike në fakt, por këto dyja janë problematike për arsye specifike – është një ide që ne e kemi diskutuar gjatë prej kohësh, jo sot dhe që me këtë rast menduam që ta shtrojmë për një diskutim më të gjerë sepse nuk është kaq bardhë e zi, nuk është zgjidhja e problemeve, por është një element që mund të na sjellë në një ngushtim të rëndësishëm të hapësirës që e stimulon, që e frymëzon, që e nxit dhunën, bullizmin dhe budallallëkun në përgjithësi.

Kështu që, duke i thënë të gjitha këto dhe duke qenë shumë i dëshiruar për të dëgjuar edhe komentet tuaja, ju falënderoj dhe një herë për praninë dhe për durimin. Dhe fjala është për këdo prej jush që dëshiron të thotë mendimet dhe plus mundësisht dhe sugjerimet përkatëse sepse të gjithë mësuesit apo prindërit kanë këndet e tyre dhe kur mësuesit janë dhe prindër e shohin nga të dyja anët subjektin për të cilin ne jemi të interesuar më shumë se për çdo gjë tjetër, që janë fëmijët.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat