back to top
33.5 C
Tirana
E mërkurë, 2 Korrik, 2025
spot_img
KreuDrejtësia"Më dha video dhe më qau hallin”/ Valteri rrëfen si nisi interpelanca...

“Më dha video dhe më qau hallin”/ Valteri rrëfen si nisi interpelanca për atentatin ndaj prokurorit

Ish-deputeti Halit Valteri dëshmoi sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në procesin ndaj Plarent Dervishajt dhe Julian Meçes, të akuzuar për atentatin e vitit 2019 ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja – aktualisht deputet i zgjedhur i PD-së.

Në dëshminë e tij, Valteri tha se u përfshi në çështjen e atentatit pas kontaktit me Genci Malokun, babain e shoferit të ndjerë Andi Maloku, i cili humbi jetën në atentat.

“Më takoi si qytetar dhe më qau hallin. Më dha një tablet me pamje ku shiheshin dy persona, një me kapele dhe një pa. Më tha: vetëm po të flitet në Parlament do zbardhet e vërteta”, deklaroi Valteri.

Ish-deputeti u shpreh hapur se e përdori këtë informacion për të ndërhyrë në Kuvend:

“E pranova publikisht që e përdora politikisht për të ngritur statusin tim si deputet opozitar. Nuk jam prokuror apo ekspert kriminalistike. E bëra në emër të qytetarit që kërkonte zgjidhje”, tha ai.

Në Parlament, Valteri përmendi emra të ndryshëm si të përfshirë në atentat, ndër to edhe Plarent Dervishaj, për të cilin më pas u kontaktua nga Ramazan Rraja, që sipas dëshmitarit i kërkoi me mirësi të mos i “bënte dëm Lentit të Durrësit”.

“I thashë se s’kam lidhje personale me të. Emrat i kam përmendur sipas asaj që më tha babai i viktimës”, tha Valteri.

Avokatët kërkojnë verifikim të komunikimeve të Valterit

Avokati i Plarent Dervishajt, Ilia Ilia, kërkoi nga gjykata të kontrollohen komunikimet telefonike të Valterit, pasi sipas tij interpelanca është përgatitur në bashkëpunim me Arjan Ndojën dhe ish-ministrin Sandër Lleshaj.

Kërkesa u mbështet edhe nga Prokuroria, e cila po heton nëse pas ndërhyrjes së Valterit qëndron një ndërthurje politike për të ndikuar në procesin gjyqësor.

Valteri theksoi se nuk kishte pasur ndonjë marrëdhënie personale me Ndojën, dhe se ai e njihte “vetëm nga televizori”.

“E gjithë ndërhyrja ime në Parlament kishte qëllim të nxirrte në pah një ngjarje të rëndë, jo të ndërhynte në drejtësi. E kam bërë si deputet i një qytetari që kërkonte drejtësi për djalin e tij të vrarë,” përfundoi Valteri.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat