back to top
1.5 C
Tirana
E premte, 13 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuAktualitetNdalimi i TikTok-ut/ Rama dhe Manastirliu vijojnë konsultimet me prindërit

Ndalimi i TikTok-ut/ Rama dhe Manastirliu vijojnë konsultimet me prindërit

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, vijuan fushatën e këshillimit me komunitetin e prindërve në shkollën “Janaq Kilica” në Fier. Kjo fushatë synon të adresojë ndikimin e rrjeteve sociale si TikTok dhe Snapchat te fëmijët dhe të rinjtë, duke promovuar ndërgjegjësimin për rreziqet dhe pasojat e tyre.

Gjatë takimit, Kryeministri Edi Rama theksoi shqetësimet lidhur me ndikimin e këtyre platformave tek fëmijët:


“Këto janë platforma që nuk kanë dallime nëse je fëmijë apo i rritur dhe një fëmijë që nuk është mjaftueshmërisht i ndërgjegjshëm për të ndarë të mirën nga e keqja, për të kuptuar pasojat e njërës apo tjetrës, këto platforma e stimulojnë në mënyrë kriminale. Ne jemi në kushtet e një bote që krijon të njëjtën varësi siç krijojnë drogat. Ndalimi i TikTok dhe Snapchat nuk është zgjidhja, por është një nga shumë elementët e zgjidhjes, sepse asgjë nga këto nuk e heq dot përgjegjësinë dhe peshën që ka ndërveprimi mes të rriturve në familje dhe fëmijëve. Pastaj ndërveprimi mes familjes dhe shkollës dhe mes shkollës dhe familjes, dhe rruga nga shkolla në shtëpi dhe nga shtëpia në shkollë, që janë të gjitha këto që kanë rëndësi”, deklaroi Kryeministri Rama.

Ministrja Ogerta Manastirliu foli për masat e ndërmarra për rritjen e sigurisë në shkolla.


“Oficeri i sigurisë në shkollë, punonjësi social dhe psikologu tashmë përbëjnë një bërthamë thelbësore në sistemin e sigurisë në strukturat tona arsimore. Fokusi ynë është në zgjerimin e shkollave që i kanë këto shërbime. Përditësimi i protokolleve të punës është një tjetër masë, e cila periodikisht është pjesë e punës sonë, por tashmë e parë edhe në këndvështrimin e integrimit të teknologjisë dhe platformave online, për t’i orientuar drejt raportimit proaktiv”, deklaroi Ministrja Manastirliu.

Gjithashtu, Ministrja Manastirliu u ndal dhe te programi i ri pilot “After School” që do të nisë duke filluar nga viti 2025. 
“Do të pilotojmë, duke filluar nga 2025, programet jashtëshkollore “After School” për të bërë të mundur që në shkolla fëmijët të kenë mundësi, qoftë për të bërë detyrat e shtëpisë, por edhe për të zhvilluar aktivitete jashtëshkollore duke zgjatur kohën e qëndrimit në shkollë”, theksoi Ministrja.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me institucionet arsimore, ka nisur një tur të gjerë këshillimi me komunitetin e prindërve për forcimin e mekanizmave të parandalimit të akteve të dhunës në shkollë dhe jashtë saj, si dhe për t’iu përgjigjur sfidave që sjellin rrjetet sociale në jetën e përditshme të fëmijëve dhe të rinjve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat