back to top
2.5 C
Tirana
E enjte, 25 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetKosovaNga 7 Tetori, transfertat nga Europa në Shqipëri me SEPA/ Tarifa maksimale...

Nga 7 Tetori, transfertat nga Europa në Shqipëri me SEPA/ Tarifa maksimale 3 Euro

Nga 7 tetori 2025, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të kryejnë pagesa ndërkufitare në euro përmes sistemit SEPA, një hap që pritet të sjellë ulje të ndjeshme të kostove për individët dhe bizneset.

Banka e Shqipërisë ka publikuar projektrregulloren që përcakton kufijtë maksimalë të tarifave që bankat mund të aplikojnë për transaksionet SEPA. Sipas dokumentit, tarifat për pagesat hyrëse nuk do të tejkalojnë 3 euro për transaksion. Kjo do të thotë se një emigrant që i dërgon para familjes në Shqipëri nuk do të paguajë më shumë se 3 euro për çdo transfertë në euro.

Ndërsa për pagesat dalëse – pra ato që kryhen nga Shqipëria drejt vendeve të tjera anëtare të SEPA-s – komisionet nuk do të jenë më të larta se ato që aplikohen aktualisht për transfertat kombëtare në euro, të procesuara përmes sistemit AIPS. Aktualisht, komisioni minimal në këtë sistem është 4 euro.

Për transfertat me vlerë deri në 150 mijë euro, komisioni nuk duhet të jetë më i lartë se 0.02% e shumës së dërguar.

Në rastet kur një nga llogaritë e përfshira në transfertë është në lekë dhe tjetra në euro, do të aplikohet këmbim valutor dhe tarifë shtesë sipas normës së konvertimit.

Banka e Shqipërisë vlerëson se me anëtarësimin në skemën SEPA, ekonomia shqiptare do të kursejë të paktën 20 milionë euro vetëm gjatë vitit të parë, me potencial për rritje në vitet në vijim.

Skema SEPA përfshin të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe disa vende të tjera jashtë BE-së, duke garantuar pagesa më të shpejta, të sigurta dhe me kosto të ulët në euro brenda kësaj zone. Kjo pritet të lehtësojë jetën e emigrantëve shqiptarë dhe të rrisë efikasitetin për bizneset që kryejnë transaksione ndërkombëtare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat