Me një vendim të fundit, Eduart Merkaj është emëruar në krye të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), institucioni që ka për mision hetimin e shkeljeve të ligjit nga punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe çdo strukture tjetër ligjzbatuese nën varësinë e Ministrisë së Brendshme. Merkaj zëvendëson Florjan Sulejmanin, i cili dha dorëheqjen nga posti në korrik të këtij viti.
Karriera në polici dhe siguri

Eduart Merkaj është një oficer karriere me eksperiencë të gjatë në fushën e rendit dhe sigurisë. Ai ka drejtuar disa prej strukturave kryesore të Policisë së Shtetit, duke nisur nga Policia Kriminale, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), deri tek sektorët e hetimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Një ndër momentet më të spikatura në karrierën e tij është emërimi si Drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, post të cilin e mori më 4 janar 2019. Gjatë periudhës së drejtimit, ai u angazhua në forcimin e kontrolleve kufitare dhe menaxhimin e flukseve të emigracionit, në një kohë kur Shqipëria përballej me presione të larta migratore.
Përveç Policisë së Shtetit, Merkaj ka shërbyer edhe pranë Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), ku ka ushtruar funksione në qytete të ndryshme si Vlora dhe Tirana. Ky profil i gjerë e ka pozicionuar atë si një nga figurat më me eksperiencë në fushën e sigurisë dhe kontrollit institucional.
Vettingu në polici
Në janar të vitit 2020, Eduart Merkaj kaloi me sukses procesin e vettingut në polici, një mekanizëm i ngjashëm me atë të gjyqtarëve e prokurorëve, që synon të pastrojë radhët e strukturave të sigurisë nga individë me probleme në pasuri, integritet dhe aftësi profesionale.
Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit vendosi më 13 janar 2020 të konfirmojë në detyrë Merkajn, pasi nuk u konstatuan parregullsi në pasurinë e tij, në pastërtinë e figurës apo në ushtrimin e detyrës. Ky konfirmim i dha atij kredibilitet të lartë për të vijuar karrierën në nivele të larta drejtuese.
Emërimi i Merkajt në krye të AMP-së vjen në një moment ku rritet presioni publik për më shumë transparencë dhe përgjegjshmëri nga strukturat e rendit. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka shpesh në fokus hetimin e akuzave për abuzime me detyrën, korrupsion apo dhunë policore, çka e bën një institucion kyç për forcimin e shtetit ligjor./ Etleva Skonja



