Nga Arben Llangozi
Në Shqipërinë e paradokseve të pafundme, ku çdo dështim kthehet në promovim, një emër rikthehet sërish në qendër të vëmendjes “Genta Bungo.
Ish-kryetare e Komisionit të pavarur të vetingut, një prej figurave më të përfolura dhe më të kontestuara të sistemit të drejtësisë, tashmë është bërë kandidate për postin e Avokatit të Popullit. Një post që kërkon ndershmëri, empati, dhe integritet moral tri cilësi që, për shumë shqiptarë, Genta Bungo i ka shkelur sistematikisht në karrierën e saj.
Pak muaj më parë, Bungo garoi për në Gjykatën Kushtetuese por dështoi. Jo për mungesë dokumentesh, por për mungesë besimi publik dhe kredibiliteti. As vetë institucionet e sistemit që ndihmoi të krijonte nuk e votuan. Dhe ndërkohë që dështimi duhej të shërbente si reflektim, ajo kërkon të rikthehet nga një derë tjetër më të butë, më simbolike, por po aq të rëndësishme “zërin e popullit. Por si mund të përfaqësojë popullin dikush që nuk e njeh, nuk e ndien, dhe ndoshta e përbuz?
Në rrethin e saj publik dhe profesional, Genta Bungo është përmendur shpesh për qëndrime përçarëse dhe fjalor që nuk i shkon asnjë zyrtari publik, e aq më pak një përfaqësueseje të drejtësisë.A mund të jetë “Avokate e Popullit” dikush që është akuzuar për urrejtje dhe përbuzje ndaj malësorëve, që i ka quajtur “malokë”, duke shfaqur përçmim krahinor? A mund të mbrojë barazinë dikush që vetë e ka mohuar atë me gjuhën dhe qëndrimet e saj? Në çdo vend demokratik, një deklaratë e tillë do të mbyllte çdo rrugë drejt funksioneve publike. Por jo në Shqipëri, ku për disa individë çdo derë mbetet hapur, sado të errët ta kenë të kaluarën.
Në një vend normal, vetëm një njoftim se një kandidate për Avokate Populli është përgjuar nga SHISH për kërkim parash në këmbim të kalimit në veting do të mjaftonte për ta skualifikuar automatikisht.Në Shqipëri, dosja ekziston. Është referuar në SPAK, Por nuk është hetuar.Përse? Sepse Bungo nuk është “askush”, por pjesë e sistemit, e strukturës që sot ndan pushtetin dhe heshtjen.
Në mbledhjen e “Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ky fakt u përmend publikisht, por asnjë reagim. As media, as politika, as institucionet. Një heshtje e qëllimshme, që tregon se në këtë vend drejtësia është selektive, për disa zbatohet me pasion, për disa të tjerë nuk ekziston.
Genta Bungo mbetet një nga figurat më të përfolura të reformës në drejtësi. Por ajo që duhej të ishte reformë për drejtësi, nën drejtimin e saj, u kthye në reformë për përjashtime, lista ndëshkimesh dhe hakmarrje politike.Ajo firmosi shkarkime masive magjistratësh, pa proces të drejtë, pa dëgjim real, shpesh sipas urdhrave të lartësive politike që diktonin nga jashtë.
Gjyqtarë dhe prokurorë me dekada eksperiencë u flakën si “të papërshtatshëm”, ndërsa të tjerë, të lidhur me pushtetin, kaluan si “engjëj të pastër”. Kjo ishte drejtësia sipas Bungos. Kjo ishte “barazia” e saj. Në vend të profesionalizmit, ajo mbolli frikë dhe nënshtrim. Dhe sot kërkon të jetë mbrojtësja e atyre që vetë i shkatërroi.
Një nga episodet më të çuditshme dhe më të diskutueshme është vendimi i saj për shkarkimin e prokurorit Ramadan Troci, të firmosur në ditën e varrimit të bashkëshortit të saj.Një akt i çuditshëm, njerëzisht i pakuptueshëm. Cili njeri, në momentin më të dhimbshëm të jetës, gjen forcën për të firmosur shkarkime? Ishte vërtet detyrë, apo ishte nxitim politik, një urdhër që duhej zbatuar menjëherë apo ndonjë arsye tjetër më e rëndë?
Kjo pyetje vazhdon të rëndojë në ndërgjegjen e shumë magjistratëve, të cilët e njohin mirë mënyrën si funksiononte sistemi nën drejtimin e saj.
“Avokati i Popullit” duhet të jetë figura më e pavarur në shtet. Ai duhet të jetë frika e burokratit” dhe shpresa e qytetarit.Por si mund të përfaqësojë qytetarët dikush që ka qenë pjesë e elitës që i shtyp ata?Si mund të mbrojë të drejtat e njeriut dikush që ka ndihmuar në dhunimin e tyre?
Si mund të kërkojë besim publik një person që nuk ka asnjë vepër të vetme që të dëshmojë përkushtim ndaj njerëzve?
Në vend që të mbrojë qytetarët nga shteti, Genta Bungo ka qenë gjithmonë pjesë e shtetit që i godet ata. Në vend që të mbrojë të pafuqishmit, ajo ka mbrojtur pushtetin. Dhe sot kërkon t’i japë vetes një aureolë morale, një status të ri “human”, që nuk i përket as nga përvoja, as nga morali.
Në çdo vend ku dinjiteti institucional ka vlerë, kandidatura e saj do të ishte përjashtuar me neveri. Por në Shqipëri, shpesh ndodh e kundërta, sa më shumë polemika, aq më shumë hapen dyer.
Kjo është drama jonë kombëtare drejtësia e përmbysur, ku të ndershmit heshtin dhe të korruptuarit promovohen.
Në vend të reflektimit, Bungo kërkon karrigen tjetër. Në vend të heshtjes, kërkon zërin e popullit. Por populli nuk ka nevojë për avokate të tillë.
Ka nevojë për një njeri që ka jetuar me ta, që i njeh rrugët, hallet, lotët, padrejtësitë. Jo për dikë që i ka shkaktuar ato.
A mund të jetë Avokate e Popullit një person që është përgjuar për korrupsion, që ka diskriminuar qytetarë, që ka shkatërruar karriera me urdhra politikë, dhe që për vite të tëra ka qenë simbol i arrogancës institucionale? Nëse përgjigjja është “po”, atëherë nuk kemi më nevojë për Avokat të Popullit. Sepse vetë populli është bërë viktimë e pushtetit që duhej ta mbronte.