Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një paketë ndryshimesh të rëndësishme në Kodin Penal, të cilat synojnë të forcojnë mbrojtjen e gazetarëve dhe të garantojnë lirinë e medias. Ndryshimet përfshijnë dënime më të rrepta për dhunën dhe kanosjen ndaj gazetarëve, si dhe përjashtime nga përgjegjësia penale për shpifje për profesionistët e medias që veprojnë me mirëbesim.
Dhuna ndaj gazetarëve, vepër penale e rënduar
Sipas nenit 237 të Kodit Penal, çdo dhunë fizike ndaj gazetarëve për shkak të ushtrimit të aktivitetit të tyre profesional dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Në rast se dhuna kryhet brenda ambienteve të institucioneve publike, dënimi ashpërsohet dhe shkon nga tre deri në pesë vjet.
Kodi vendos gazetarët në të njëjtin nivel mbrojtjeje me funksionarët publikë dhe punonjësit e policisë, duke njohur rrezikun e shtuar që ata përballojnë për shkak të roli të tyre në shoqëri dhe ekspozimit publik.
Kanosja ndaj gazetarëve, sanksione të posaçme
Neni 238 i Kodit Penal parashikon dënime specifike për kanosjen serioze ndaj gazetarëve për shkak të detyrës. Autori i veprës dënohet me burgim nga një deri në tre vjet, nëse kërcënimi lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e aktivitetit profesional dhe cilësia e gazetarit është e dukshme ose e njohur.
Ky hap vendos gazetarët në të njëjtin nivel mbrojtjeje si punonjësit e policisë dhe profesionistët e shëndetësisë, duke marrë parasysh rrezikun që sjell ekspozimi publik.
Shpifja: përjashtim nga përgjegjësia penale për gazetarët me mirëbesim
Neni 120 i Kodit Penal sjell një ndryshim thelbësor për mediat. Gazetarët nuk do të mbajnë përgjegjësi penale për shpifje në rast se veprojnë me mirëbesim: qëllimi kryesor i publikimit duhet të jetë informimi i publikut për çështje me interes të përgjithshëm, ata duhet të kenë kryer përpjekje të arsyeshme për verifikim dhe, në rast gabimi, duhet të veprojnë pa vonesë për përgënjeshtrim ose korrigjim të informacionit.
Ligji përcakton gjithashtu se opinionet, komentet dhe kritikat, edhe kur janë të ekzagjeruara apo fyese, nuk përbëjnë shpifje penale, përveç kur përmbajnë fakte objektivisht të rreme.
Një kornizë e re për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve
Me këtë paketë ndryshimesh, Kodi Penal krijon një ekuilibër mes mbrojtjes së reputacionit dhe garantimit të lirisë së medias, duke siguruar mbrojtje fizike për gazetarët dhe duke shmangur ndjekjen penale për raportime të kryera me interes publik dhe në mënyrë të mirëbesueshme.
Ky ndryshim konsiderohet një hap historik drejt forcimit të shtetit të së drejtës dhe përmirësimit të lirisë së medias në Shqipëri.



