Kreu i Nisma Thurje Endri Shabani, në rrethanat e panoramës politike ku ndodhet vendi ynë prej vitesh ka apeluar dhe ka arsyetuar se përse duhet votuar për të fëmijët për të ardhmen.
“Një thirrje për prindërit: votoni për fëmijët tuaj!
Është e dhimbshme kur shikon se si familjet shqiptare janë shpërndarë nëpër botë, shpesh kundër dëshirës së tyre.
Shqipëria nuk vuan nga thatësira e Afrikës apo nga ngricat e Siberisë. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të jetë një vend i zhvilluar, ku të gjithë të jetojmë këtu, pranë njëri tjetrit.
Por të rinjtë largohen, sepse mundësitë për progres janë kapur nga një elitë e cila kulmon tek tre emra: Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Pa larguar ata, çetat e tyre do vazhdojnë të bllokojnë mobilitetin në universitet, në biznes, në sport, në gazetari apo në fushat e tjera.
Pa larguar ata të tre nuk do mund të rikthejmë të rinjtë që kanë ikur, dhe nuk mund të mbajmë këtu ata që kërkojnë të largohen.
Ndaj, jo për mua, por për brezin tim, për fëmijët tuaj, duhet të mos qëndroni në shtëpi, por të shkoni dhe të votoni për ndryshimin.
Brezi i studentëve të dhjetorit e ka vuajtur në kurriz qeverisjen e Ramës, Berishës dhe Metës. Nuk ka pse të lejojmë të njëjtin fat edhe për brezin e ri”, është shprehur Shabani në një emission televiziv.