Trupa gjyqësore pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka reaguar pas ngjarjes së rëndë ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën pas një sulmi me armë zjarri brenda sallës së gjyqit.
Në deklaratën e saj, Gjykata shprehet se është e tronditur nga humbja e një kolegu të nderuar, i cili shërbeu për më shumë se tre dekada “me profesionalizëm dhe dinjitet” në sistemin e drejtësisë shqiptare.
“Me hidhërim të thellë shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së gjyqtarit që e ndërpreu rrugëtimin e tij, teksa punonte dhe kontribuonte pa frikë dhe pa asnjë lloj mbrojtje për shtetin e së drejtës. Solidarizohemi me gjithë trupën gjykuese në Republikën e Shqipërisë, në këtë ditë zie, jo vetëm për sistemin e drejtësisë, por për vetë shoqërinë shqiptare,” thuhet në reagim.
Gjykata kërkon marrjen e menjëhershme të masave konkrete institucionale për garantimin e sigurisë së gjyqtarëve dhe familjeve të tyre në të gjitha nivelet e sistemit gjyqësor. Njëherësh, i bën thirrje aktorëve institucionalë, politikë dhe mediatikë që të ndalojnë gjuhën e urrejtjes ndaj trupës gjyqësore.
“Pa respekt dhe mbrojtje reale të gjyqtarëve, nuk mund të ketë drejtësi të pavarur, shtet ligjor dhe besim të qytetarëve në drejtësi,” thekson Gjykata e Tiranës, duke shtuar se aktet e dhunshme nuk do të frikësojnë gjyqtarët në misionin e tyre për t’i shërbyer publikut.
Në fund, Gjykata nderon kujtimin e gjyqtarit Astrit Kalaja, duke e cilësuar atë “një koleg të paharruar, që dha jetën e tij në krye të detyrës, si gjyqtar, babai, familjar dhe njeri i mirë”.