Që pas shpalljes së datës së zgjedhjeve për kryetar, në PD kanë nisur lëvizje të forta që po shoqërohen me përjashtime dhe tensione të brendshme.
Vala e parë u regjistrua në Durrës, ku u përjashtuan dy anëtarë të Këshillit Bashkiak, Dritan Burgija dhe Arlind Boshku, pasi kishin dalë në mbështetje të Ervin Salianji.
Më pas, situata u përshkallëzua në Elbasan, ku katër anëtare të PD-së, Doris Madhi, Alesia Balliu, Rudina Alla dhe Zheni Gjergji janë përjashtuar nga partia.
Këto zhvillime po lidhen gjithnjë e më shumë me një proces të brendshëm seleksionimi politik, ku kritikët pretendojnë se po synohet eliminimi i zërave që nuk mbështesin Sali Berisha në garën për drejtimin e partisë.
Një nga të përjashtuarat, Doris Madhi, ka reaguar ashpër publikisht, duke mohuar çdo akuzë për veprim kundër Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit. Ajo deklaron se ka qenë aktive në procesin zgjedhor në Prrenjas, ku sipas saj ka kontribuar në evidentimin e parregullsive, duke përmendur edhe raste votimi që i cilëson si të manipuluara.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Madhi sulmon drejtues lokalë të PD-së dhe ngre akuza për lidhje me krimin dhe pazare politike, ndërsa paralajmëron përshkallëzim të mëtejshëm të përplasjes.
Situata në Partinë Demokratike duket se po tensionohet në prag të zgjedhjeve për kryetar, duke reflektuar përçarje të thella dhe një klimë të nxehtë politike brenda forcës kryesore opozitare.



