Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi u ndal në Durrës në një takim të përzemërt me anëtarë të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në prezantimin e kandidates për deputete në zgjedhjet e 11 Majit, Andia Ulliri.
Në fjalën e tij kryetari i PDIU-së u shpreh se betejat për Çamërinë së bashku me djemtë e Durrësit nuk do të ndalen asnjëherë, sepse këtu sheh që të gjithë ata, që deri dje ishin fëmijë, sot janë rritur, janë bërë familjarë, dhe vazhdojnë të kenë të njëjtin vokacion, të njëjtën dëshirë, të njëjtën mbështetje për Partinë për Drejtësi, integrim dhe Unitet, për zgjidhjen e çështjes çame dhe kauzat e forta. Nuk ka mesazh më të mirë se sa kur të gjithë bashkë si në ditën e parë, ne vazhdojmë betejat tona.
Ndër të tjera kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi u ndal edhe në disa pjesë të programit politik që shqiptarët duhet të zgjedhin. Shqipëria që prodhon – tha ai- është e ardhjma e vendit, sepse vetëm kështu ne do të mund të rrisim ekonominë tonë, ndaj shteti duhet të përqëndrohet mirë në këtë degë të ekonomisë, sepse sot ne mbahemi nga remitancat dhe importet.
“Ne importojmë motra dhe vëllezër dhe ata na sjellin 1 miliardë euro në vit.
Ne importojmë 1.4 miliardë sot çdo vit vetëm fruta, perime, zarzavate, kos, gjalpë, djathë, makarona e çfarë të doni ju. Pra ushqime. Po si mund të mbahet një vend që ka 800 mijë të punësuar dhe 800 mijë pensionistë? Nga këta 800 mijë të punësuar 192 mijë janë në shtet dhe nëse do të fusim dhe e-albanian, sot me numrin e popullsisë që kemi, administrata shqiptare duhet të ketë vetëm 50 mijë vetë. Kaq! Të tjerët rrinë kot apo patronazhistë. Sepse duhet të kuptojmë që kapitali financiar jo këtu, por kudo, n.q.se nuk ka kapitalin njerëzor, vendi është i falimentuar.
E si mundet që ti të bësh turizëm kur nuk ke industrinë ushqimore, kur nuk ke bujqësinë? Ne kemi nevojë urgjente që t’i kthehemi prodhimit, bujqësisë, industrisë ushqimore. Ne mund të bëjmë edhe ndonjë industri tjetër. Ne s’mund të prodhojmë makina, por pjesë makinash po si dhe ne mund të bëjmë “tax holiday” për ta, apo zonat e lira”.
Ndërsa deputetja e Kuvendit të shqipërisë, Andia Ulliri e cila garon në këto zgjedhje për mandatin e dytë në qarkun e Durrësit, tha se unë vij nga një familje ku ne kemi besuar gjithmonë në familje, komb dhe zot, ndaj betejat tona për kauzat kombëtare, çështjen çame dhe shpopullimin e vendit do vazhdojmë t’i bëjmë në parlament, sepse në 11 maj qarku i Durrësit do të zgjedhë aleancën “Shqipëria Madhështore”.
“Ne duhet të luftojmë vërtet jo vetëm për çështjen çame, për për të ruajtuar identitetin kombëtar, për të ruajtur familjet tona sepse këta po bëjnë çmos që familja, prindi 1, prindi 2, ne si komb të largohemi, të ikim dhe t’I lemë pronat tona. Ne jemi besimplotë që bashkë koalicioni “Shqipëria Madhështore” do të arrijë që të ketë një rezultat shumë të mirë në Durrës. Ne pretendojmë që mund të marrim 8 deputetë”, tha ai.