back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 12 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuAktualitet“Prioritet lufta kundër korrupsionit”/ Basha takohet me kongresmenin French Hill

“Prioritet lufta kundër korrupsionit”/ Basha takohet me kongresmenin French Hill

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, takoi kongresmenin amerikan, French Hill, njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme dhe Zëvendës Kryetar i Komitetit të Shërbimeve Financiare. Në një postim në facebook, Basha shkrun se në bisedën me Hill theksoi rëndësinë e luftës ndaj korrupsionit, duke i prezantuar iniciativat e tij për vetingun e politikanëve dhe heqjen e imunitetit të deputetëve.

Më tej ai thotë se pjesë e diskutimit ishte dhe situata e sigurisë në Ballkan, ku Basha shprehu shqetësim për përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar rajonin, duke kërkuar mbështetje të SHBA për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe Mal të Zi.

Postimi i Bashës:

Kënaqësi të ritakohem me mikun tim, kongresmenin French Hill, anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme, Zëvendës Kryetar i Komitetit të Shërbimeve Financiare të Dhomës së Përfaqësuesve dhe i Komitetit të Inteligjencës, i cili është gjithashtu kandidati kryesor për të drejtuar Komitetin e Financave.

Theksova se për ne, mbështetja për drejtësinë dhe lufta e pakompromis kundër korrupsionit janë prioritete kryesore. Korrupsioni po gërryen ekonominë dhe po shtyn drejt emigracionit të rinjtë, intelektualët dhe punonjësit e specializuar.

Lidhja e politikës me krimin, e denoncuar prej meje për vite me radhë dhe tashmë e faktuar edhe në hetimet e SPAK-ut, është një problem i jashtëzakonshëm për vendin. E njoha kongresmenin Hill me nismat e mia për vetingun e politikanëve, si dhe me nismën për heqjen e imunitetit të deputetëve, çka do t’i jepte mundësi Prokurorisë të hetonte pa u penguar nga mbrojtja që kanë politikanët në Parlament.

Fatkeqësisht, mazhoranca refuzon t’i fusë edhe për diskutim këto nisma, duke dëshmuar se është gati të bëjë gjithçka për të mbrojtur deputetët dhe qeveritarët e lidhur me krimin dhe të korruptuar.

Kongresmeni Hill dëgjoi me vëmendje programin tonë për të qeverisur vendin, që përfshin uljen e taksave, mbështetjen e të rinjve, forcimin e familjes përmes mbështetjes ekonomike dhe financiare, programin për arsimin dhe shëndetësinë, si dhe planin për të luftuar korrupsionin dhe rikthimin e investitorëve të huaj, ku natyrisht kemi një interes të veçantë për investitorët amerikanë.

Diskutuam gjerësisht edhe për situatën në rajon dhe veçanërisht në Kosovë, me shqetësim për përpjekjet e Rusisë për të krijuar një vatër të re tensioni në Ballkan, konkretisht në Kosovë, Bosnje dhe së fundmi edhe në Mal të Zi. Sulmi i fundit në Kosovë ndaj infrastrukturës jetike për furnizimin me ujë dhe energji për qytetarët është një kambanë alarmi për skenarët që Serbia, së bashku me Rusinë, janë duke zbatuar në përpjekje për të destabilizuar rajonin.

I kërkova z. Hill që SHBA-ja të ruajë fokusin edhe te Ballkani Perëndimor, pasi përballë disfatave në strategjinë e saj, Rusia po kërkon një vatër të re konflikti.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte një hap i rëndësishëm në këtë situatë për të garantuar paqe dhe stabilitet në rajon, dhe për këtë, roli i SHBA-së është jetik.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat