Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka konfirmuar zyrtarisht se ka nisur hetimet në lidhje me kontratën koncesionare për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, një nga projektet më të mëdha strategjike në sektorin e infrastrukturës ajrore në vend.
“SPAK ka regjistruar procedim penal në lidhje me kontratën koncesionare të Aeroportit të Vlorës. Ky procedim është në fazën e hetimeve paraprake,” thuhet në njoftimin zyrtar të strukturës antikorrupsion.
Hetimi nis në një moment kur aeroporti sapo ka përfunduar fazën e parë të testimeve, me fluturimin certifikues të realizuar dy muaj më parë, dhe përgatitet të nisë operimin e rregullt. Aeroporti është konsideruar nga qeveria si një “portë hyrëse” për turizmin në jug të Shqipërisë, si dhe një nyje e rëndësishme për zhvillimin ekonomik rajonal.
Projekti është zhvilluar nga kompania “Mabco Constructions”, në pronësi të biznesmenit kosovar Behgjet Pacolli, i cili zotëron 98% të aksioneve. Pjesa tjetër prej 2% kontrollohet nga kompania shqiptare “2A Group SH.P.K.”.
Megjithëse nuk janë dhënë detaje të mëtejshme për objektin e hetimit, burime nga drejtësia theksojnë se SPAK po shqyrton të gjitha aspektet procedurale dhe financiare të dhënies së koncesionit, si dhe zbatimin e kontratës me shtetin shqiptar.
Aeroporti i Vlorës ka qenë një projekt shumë i diskutuar, jo vetëm për përmasat financiare, por edhe për përfshirjen e kompanive të huaja dhe afatet e zbatimit. Ai u shpall si një nga objektivat kryesore të infrastrukturës së re kombëtare nga qeveria “Rama”.
Hetimet pritet të ndriçojnë nëse ka pasur parregullsi në procesin e dhënies së koncesionit apo në përmbushjen e kushteve të kontratës.