Qeveria ka miratuar një paketë të re reformash në sektorin e energjisë elektrike, e cila synon modernizimin e tregut dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.
Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili tha se projektligji i ri për rregullimin e sektorit energjetik shënon një fazë të re zhvillimi për Shqipërinë.
Sipas tij, reforma vjen si një domosdoshmëri pas një dekade nga ligji i mëparshëm dhe synon të përshtatë sistemin energjetik me realitetin aktual dhe sfidat e tregut.
“Rregullimi i sektorit të energjisë elektrike e fut Shqipërinë në një koncept të ri, duke sjellë forma të reja për konsumatorët dhe gjithë sektorin energjetik”, u shpreh Karakaçi.
Ai theksoi se ligji i vitit 2015 kishte përmbushur rolin e tij në transformimin e sektorit, por aktualisht kërkohej një kornizë e re ligjore në përputhje me standardet europiane.
Ministri shtoi se projektligji është konsultuar me grupet e interesit dhe është pjesë e procesit të integrimit europian, duke hapur rrugë edhe për përfitime financiare nga BE.
“Ky projektligj vjen në fazën ku ndodhet Shqipëria dhe është në përputhje me detyrimet e integrimit europian dhe nismat që sjellin financime”, tha ai.
Në të njëjtën mbledhje, qeveria miratoi edhe një leje për ndërtimin e një parku të ri fotovoltaik me kapacitet 96 megavat, duke rritur më tej peshën e energjisë së rinovueshme në prodhimin vendas.
Karakaçi deklaroi se Shqipëria po hyn në një fazë të re të zhvillimit energjetik, ku prodhimi nga burimet diellore po fiton rol gjithnjë e më të madh.
Ai përmendi gjithashtu se energjia fotovoltaike tashmë përbën mbi 10% të prodhimit të përgjithshëm në vend, ndërsa zhvillimi i këtyre projekteve po ndryshon strukturën e sistemit energjetik.
Sipas tij, në këtë fazë të prodhimit, kaskada e Fierzës nuk po operon në kapacitet të plotë, pasi një pjesë e nevojave po mbulohet nga energjia e rinovueshme.
Reforma e re pritet të kalojë për shqyrtim në Kuvend dhe të sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën e funksionimit të tregut të energjisë në Shqipëri.



