10 ditë përpara zgjedhjeve qeveria ndryshon për herë të parë për këtë vit buxhetin e vitit 2025. Për këtë ndryshim Ministria e Financave i është drejtuar me një shkresë për opinion Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
Ky adresim që bën ekzekutivi lidhet me çka sanksionohet në Kodin Zgjedhor ku theksohet se 4 muaj nga dita e zgjedhjeve është e ndaluar të merren ose miratohen vendime të cilat kanë efekte financiare. Në kuptim të ligjit elektoral kjo periudhë 4 mujore ka nisur në datën 11 Janar dhe përfundon ditën e zgjedhjeve në 11 Maj.
Por Këshilli i Ministrave ka ndryshuar buxhetin e shtetit përmes procedurës urgjente të aktit normativ për të akorduar shumën prej 10 milionë dollarësh si financim pjesmarrje në kompani. Financat e kanë argumentuar “nevojën” dhe “urgjencën” për këtë ndryshim të shpejtë të buxhetit me akt normative, me faktin se financimet për startup-in e Mira Muratit duhet të realizohen sa më parë.