Udhëtarët që hyjnë në Bashkimin Evropian mund të përballen sërish me radhë të gjata në pikat kufitare, pasi ka përfunduar afati i masave fleksibile të vendosura nga Brukseli për zbatimin e sistemit të ri të hyrje-daljeve, EES.
Afati i këtyre masave përfundoi më 6 shtator, ndërsa kompanitë ajrore i kanë kërkuar Komisionit Evropian që ta zgjasë periudhën fleksibile deri në fund të vitit, për të shmangur kaosin në kufij gjatë muajve të ardhshëm.
Sistemi EES parashikon regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve të shtetasve të vendeve jashtë BE-së, duke përfshirë të dhënat biometrike, si gjurmët e gishtërinjve dhe imazhin e fytyrës.
Gjatë sezonit veror, në shumë aeroporte evropiane nuk u regjistruan radhët e gjata që ishin parashikuar fillimisht. Industria e aviacionit argumenton se një prej arsyeve ishte pikërisht zbatimi fleksibël i rregullave dhe fakti që procesi i regjistrimit biometrik nuk u aplikua në mënyrë të plotë në të gjitha pikat kufitare.
Luke Petherbridge, drejtor i çështjeve publike në organizatën britanike të industrisë së udhëtimeve Abta, tha se sektori vijon t’i kërkojë Komisionit Evropian një periudhë më të gjatë fleksibiliteti.
Sipas tij, ende mbetet shumë punë përpara se sistemi EES të jetë plotësisht funksional në të gjitha pikat kufitare.
Shqetësimet janë veçanërisht të dukshme në disa prej pikave më të ngarkuara të udhëtimit mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës.
Në disa pika kryesore, përfshirë Eurotunnel, Portin e Doverit dhe terminalin Eurostar në St Pancras, infrastruktura për regjistrimin biometrik ende nuk është plotësisht funksionale.
Zbatimi i plotë i EES pritet të ndryshojë mënyrën se si kryhen kontrollet kufitare për miliona udhëtarë që hyjnë në zonën Schengen. Përveç regjistrimit të të dhënave personale, sistemi do të mbajë një regjistër elektronik të hyrjeve dhe daljeve, duke zëvendësuar gradualisht vulosjen manuale të pasaportave.
Kompanitë ajrore dhe sektori i udhëtimeve paralajmërojnë se, nëse sistemi nuk zbatohet në mënyrë të koordinuar dhe me kapacitetet e nevojshme në kufij, periudhat me fluks të lartë mund të sjellin sërish vonesa dhe radhë të gjata për udhëtarët.
Në qendër të shqetësimeve mbetet pikërisht gatishmëria e pikave kufitare për të përballuar regjistrimin biometrik të një numri të madh udhëtarësh në një kohë të shkurtër.



