Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj vendimit të gjykatësit Marko Boshku, duke e akuzuar se ka shkelur ligjin dhe ka favorizuar një zyrtar të larguar nga detyra për abuzime dhe ndërtim pa leje. Reagimi i Ramës u bë përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku kryeministri thekson rëndësinë që gjykatësit të mbajnë “lart flamurin e drejtësisë së re” dhe të veprojnë me pavarësi, profesionalizëm dhe integritet.
Sipas kryeministrit, gjykatësi Boshku ka vendosur rikthimin në detyrë të një zyrtari të larguar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), i kapur duke shkelur ligjin dhe duke mashtruar me dokumenta për legalizimin e një ndërtimi pa leje në Ksamil. Fotot satelitore kanë provuar se ndërtimi ishte bërë pas vitit 2020, ndërkohë që ligji e ndalon shqyrtimin e kërkesave për legalizim pas këtij viti.
Rama e konsideron këtë vendim një shkelje flagrante të ligjit dhe interesave të shtetit, duke paralajmëruar se do të përcjellë rastin te organet e vetëqeverisjes së gjyqësorit, KLGJ dhe ILD, si dhe do të kërkojë përgjegjësi për të gjithë ata që përdorin pavarësinë e drejtësisë për të përqeshur ligjin dhe interesin publik.
“Kush tallet me interesat e shtetit dhe përqesh ligjin, duke përdorur pavarësinë e drejtësisë si pavarësi nga vetë drejtësia, do të përballet jo vetëm me organet e vetëqeverisjes së gjyqësorit, por edhe me opinionin publik”, shkruan Rama në reagimin e tij.
Kryeministri thekson gjithashtu se gjykatësit më të rinj duhet të veprojnë si shembull, duke ruajtur integritetin dhe duke mos lejuar abuzime të tilla që cenojnë imazhin dhe funksionimin e drejtësisë së re në vend.