back to top
2.5 C
Tirana
E hënë, 22 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetRama "gatuan" kabinetin e katërt/ Lëvizje drastike dhe emra të rinj në...

Rama “gatuan” kabinetin e katërt/ Lëvizje drastike dhe emra të rinj në horizont

Etleva Skonja

Pas zgjedhjeve të 11 majit, në skenë politike rikthehet diskutimi mbi riformatimin e kabinetit qeveritar, që pritet të ndodhë në shtator. Burime brenda mazhorancës dhe qarqeve politike bëjnë me dije se kryeministri Edi Rama po shqyrton ndryshime të thella në ekzekutiv, duke konsideruar performancën e ministrave aktualë dhe nevojën për të forcuar pozicionin politik pas zgjedhjeve.

Në një mbledhje në Pallatin e Brigadave, me fituesit e 11 majit dhe kandidatët që mbetën jashtë Kuvendit, Rama theksoi disa ditë më parë për nevojën e “lëvizjeve të domosdoshme” në emër të mandatit të katërt. Rama ka paralajmëruar ndryshime drastike në udhëheqjen e Partisë Socialiste dhe në qeveri.

“Kemi garantuar drejtësinë, forcuar sigurinë, rritur reputacionin dhe kemi bërë histori me vendin tonë brenda kësaj dekade. Kemi mësuar se për t’i arritur këto suksese, duhet një punë e madhe me veten. Duhet ta nisim nga vetja për të ndarë mendjen si duhet mbi disa gjëra që duhen parë ndryshe, dhe duhet të bëjmë disa gjëra ndryshe. Duhet që të bëjmë disa lëvizje në udhëheqjen e partisë dhe në qeveri. Na duhet një mirëkuptim i plotë mes nesh dhe me familjen tonë europiane, sepse do ta përdorim fuqinë e mandatit të katërt” u shpreh Rama.

Mesohet se në fokus janë disa ministri kyç, ku disa prej tyre mund të përjashtohen nga kabineti i ri. Burime nga brenda mazhorancës sugjerojnë se disa ministra si i ekonomisë, arsimit dhe infrastrukturës mund të jenë në “listën e rikonsiderimit”, duke hapur mundësi për emra të rinj ose për një rotacion të brendshëm të besnikëve politikë të kryeministrit.

Në të njëjtën kohë, pritet që kabineti i ri të pasurohet me figura që kanë marrë vlerësime të larta për performancën gjatë krizave të fundit apo për aftësitë e tyre teknike. Burimet shtojnë se disa drejtues politikë që nuk kanë qenë pjesë e qeverisë deri më tani mund të përfshihen në kabinet për të siguruar ekuilibrin politik dhe për të përforcuar prezencën e Ramës në qarqet kyçe.

Nga burimet e brendshme bëhet e ditur se lista përfundimtare e ndryshimeve do të zbulohet vetëm pak javë para se kabineti i ri të marrë funksion, duke lënë hapësirë për spekulime dhe lojëra politike brenda dhe jashtë mazhorancës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat