back to top
11.5 C
Tirana
E hënë, 27 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetReforma Zgjedhore/ PS dhe PD bashkojnë votat, partitë e vogla protestojnë

Reforma Zgjedhore/ PS dhe PD bashkojnë votat, partitë e vogla protestojnë

Parlamenti shqiptar miratoi sot ngrjtjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare, një për Reformën Zgjedhore dhe një për Reformën Territoriale, ku mazhoranca dhe opozita do të kenë numër të barabartë anëtarësh dhe do të bashkëdrejtohen nga dy kryetarë.

Votimi për komisionin zgjedhor përfundoi me 113 deputetë pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa për komisionin territorial votuan 115 pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim. Kundër votuan Agron Shehaj, Erald Kapri dhe Redi Muçi, ndërsa deputetët e partisë Mundësia protestuan për formulën e barazisë mes mazhorancës dhe opozitës, edhe pse tek zgjedhorja ka vende të garantuara.

Deputeti Agron Shehaj kritikoi bashkëpunimin mes mazhorancës dhe opozitës:

“Reforma Zgjedhore ka qëllim të vrasë partitë e reja, të vrasë alternativat në këtë vend, të vrasë demokracinë. Nuk e kuptoj si mazhoranca dhe opozita bëhen bashkë dhe fshehurazi ngrenë një komision pa përfshirë partitë e reja. Keni vetëm një qëllim: pasi keni vjedhur bashkë për 35 vite, të vazhdoni të vidhni së bashku.”

Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë shtoi se partitë parlamentare duhet të kenë të drejtë vote, jo vetëm të marrin pjesë si OJF:

“Përjashtoni nga e drejta e votës parti parlamentare si me qenë ndonjë OJF apo institucion që është aty për të dhënë ca propozime apo për të dhënë mend.”

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u përgjigj duke theksuar se në komision janë përfshirë të gjitha partitë:

“Është e pamundur që në një komision të posaçëm të përfshihen të gjitha partitë. Në këtë rast, për herë të parë në historinë e komisioneve zgjedhore, janë përfshirë të gjitha partitë. Kemi bërë një zgjidhje për të përfshirë dhe ty duke futur parti me 2 mandate. Ti që bën interesantin, ditën takohesh me këta për kandidatë, vjen këtu dhe i shan. Kjo është pjesë e integritetit moral të çdo njeriu.”

Edhe ish-kryeministri dhe deputeti i PD-së, Sali Berisha, komentoi dakordësinë për komisionin zgjedhor:

“OSBE ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe në raportin e fundit damkosi si një farsë të shëmtuar zgjedhore zgjedhjet e 11 majit. Në këtë kontekst ne ndihemi të detyruar ndaj tyre që rekomandimet e drejta t’i kthejmë në ligj, ndonëse deklarojmë që në mënyrë absolute me Edi Ramën shqiptarët s’do votojnë kurrë si qytetarë të lirë.”

Komisioni për Reformën Zgjedhore do të përfshijë të gjitha partitë:

7 anëtarë nga PS

5 anëtarë nga PD

1 nga PSD

1 nga Partia Republikane

1 nga Partia e Lirisë

1 nga Mundësia

Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet mund të sjellin deputetët për diskutime dhe propozime, por pa të drejtë vote.

Komisioni për Reformën Territoriale do të ketë:

8 anëtarë nga PS

6 nga PD

1 nga Partia e Lirisë

1 nga Partia e Fatmir Mediut

Ky proces vjen pas dakordësisë mes PS dhe PD për barazi në numrin e anëtarëve dhe bashkëkryetarët, por ka shkaktuar debate dhe akuza për marginalizimin e partive të vogla dhe pretendime për përfitime politike të dy palëve kryesore.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat