Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) zhvilloi të mërkurën seancën për shqyrtimin e ankimit të Komisionerit Publik ndaj vendimit që konfirmoi në detyrë prokuroren Elona Alvora.
Ankimi i Komisionerit Publik lidhet me vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) të datës 7 qershor 2022, i cili kishte konfirmuar në detyrë Alvorën. Gjatë seancës, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Adnan Xholi, pranoi se ndaj subjektit të rivlerësimit janë konstatuar mangësi në vlerësimin e aftësive profesionale, por shtoi se këto nuk kanë cënuar hetimet dhe mund të adresohen përmes trajnimit profesional.
Për këtë arsye, Xholi kërkoi ndryshimin e vendimit të KPK-së, pezullimin e përkohshëm të Alvorës nga detyra dhe detyrimin e saj për të ndjekur një program trajnimi në Shkollën e Magjistraturës.
Nga ana e saj, prokurorja Elona Alvora mbrojti vendimin e KPK-së duke paraqitur shpjegime të përmbledhura mbi çështjet penale të përmendura në ankim. Ajo theksoi se kishte vepruar në përputhje me ligjin procedural dhe kundërshtoi pretendimet që lidhen me dy dosje tashmë të transferuara pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD). Alvora kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK-së.
Pas dëgjimit të palëve, Kolegji shpalli mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe njoftoi se vendimi përfundimtar do të jepet më 16 korrik 2025.