Qeveria Rama 4 ka përcaktuar objektivin për të ndërtuar 700 kilometra rrugë të reja deri në vitin 2029, duke përfshirë projekte madhore që synojnë të krijojnë boshtin e ri të zhvillimit kombëtar.
Mes akseve që pritet të përfundojnë është zgjatimi i Korridorit Blu, përfshirë segmentet Milot-Balldren, Milot-Thumanë, Kashar–Lekaj dhe Lekaj–Fier. Ky projekt synon të lidhë zona të rëndësishme të vendit dhe të përmirësojë lidhjet rrugore kombëtare.
Ndërkohë, planifikohet ndërtimi i segmentit ndëlidhës të Bypass-it të Elbasanit, që do të bashkojë autostradën Tiranë–Durrës me Korridorin VIII drejt Lekajt.
Në jug, qeveria synon përfundimin e Rrugës së Bregut Dhërmi–Sarandë, së bashku me Bypass-in e Sarandës dhe Rrugën e Ksamilit, duke përmirësuar qarkullimin dhe zhvillimin e turizmit. Po ashtu, do të punohet për Unazën e Çajupit dhe aksin Gjirokastër–Libohovë–Kardhiq, për të krijuar lidhje funksionale mes jugut të brendshëm dhe rrjetit kombëtar.
Përveç kësaj, do të përfundohet edhe Rruga e Vjosës (Ersekë–Përmet–Tepelenë), ndërsa aksi Berat–Skrapar–Gramsh synon të hapë mundësi të reja turistike dhe ekonomike në Shqipërinë e Mesme.
Për realizimin e objektivit prej 700 km, do të shtrohen gjithashtu Rruga e Liqeneve (Rrëshen–Burrel) dhe Rruga e Maleve (Vau i Dejës–Pukë–Fushë Arrëz), duke kompletuar një plan ambicioz zhvillimi rrugor në gjithë vendin.



