Kryetari i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Endri Shabani, deklaroi në një intervistë se rinumërimi i votave po konfirmon se asnjë votë e koalicionit të tij nuk është prekur gjatë procesit, ndërsa kritikoi ashpër ndryshimet në sistemin zgjedhor që sipas tij favorizojnë dy partitë kryesore.
“Rinumërimi i votave po vërteton që çdo votë e ‘Nismës Shqipëria Bëhet’ është numëruar, sepse ne kemi qenë prezent gjatë gjithë procesit në çdo kuti dhe në çdo qendër numërimi,” tha Shabani.
Ai theksoi se problematikat kryesore nuk qëndrojnë te numërimi i votave, por te sistemi zgjedhor, i cili sipas tij është ndryshuar pak muaj para zgjedhjeve nga Berisha dhe Rama në një mënyrë që u dha Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike mandate përtej votave reale.
“PS ka marrë rreth 10 mandate më shumë sesa i përkasin me bazë votash në sistemin proporcional kombëtar, ndërsa PD ka marrë 4 deri në 5 mandate më shumë,” shpjegoi Shabani, duke e cilësuar këtë si një manipulim që cenon barazinë dhe drejtësinë e përfaqësimit në Parlament.
Kjo bashkëpunim mes dy liderëve kryesorë sipas Shabanit, është një shkelje e besimit të qytetarëve dhe një pengesë për zhvillimin e një sistemi demokratik të vërtetë në Shqipëri.