back to top
8.5 C
Tirana
E martë, 4 Shkurt, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaShqipëria, e dyta në Europë për çmimet e lira/ Kostoja e hoteleve...

Shqipëria, e dyta në Europë për çmimet e lira/ Kostoja e hoteleve dhe restoranteve 50% më e ulët se mesatarja europiane

Sipas të dhënave të fundit  të publikuara nga Eurostat referuar indeksit të të çmimeve sipas fuqisë blerëse për hotele dhe restorante  Shqipëria pozicionohet  ndër vendet më të lira në Europë për shpenzimet në hotele dhe restorante. Këto shpenzime përbëjnë rreth 49.7% të mesatares europiane, duke u pozicionuar e dyta pas Maqedonisë së Veriut, që kryeson  me çmimet më të ulëta. Nëse në shumicën e vendeve të Europës duhen mesatarisht 100 euro për tu akomoduar një natë në hotel si dhe për të darkuar apo drekuar në restorant, në Shqipëri i njëjti shërbim kushton afërsisht sa  gjysma e kësaj vlere. Pavarësisht një rritjeje të moderuar krahasuar me katër vite më parë, kur shpenzimet ishin vetëm 45.6% të mesatares europiane, Shqipëria vijon të mbetet një magnet për turistët dhe këtë e konfirmojnë edhe shifrat zyrtare të INSTAT lidhur me hyrjet dhe daljet e të huajve në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Por cilat janë vendet që ofrojnë  më  lirë dhe më të shtrenjtë shërbimin e akomodimit dhe ushqimit? Në renditjen e destinacioneve me çmimet më të lira për akomodimin dhe ushqimin, pas Shqipërisë renditen shtetet si Kosova ku shpenzimet për hotele dhe restorante janë sa 51.1% e mesatares europiane, Bullgaria (51.8%) dhe Turqia (57.6%), të cilat gjithashtu ofrojnë shërbime me çmime relativisht të ulëta.

Nga ana tjetër, destinacionet më të shtrenjta janë Zvicra (172.2 %e mesatares europiane), Islanda (166.8%) dhe Danimarka (151.8%), të cilat tejkalojnë ndjeshëm mesataren europiane. Në nivel rajonal, Mali i Zi dhe Serbia kanë kosto më të larta, me përkatësisht 63% dhe 64.4% të mesatares europiane, duke bërë që Shqipëria të jetë një alternativë më ekonomike për turistët.

Në përfundim shifrat tregojnë se Shqipëria ruan pozita konkurruese në nivel rajonal dhe global përsa i përket çmimeve të akomodimit dhe ushqimit. Ky faktor e bën atë një destinacion tërheqës për ata që kërkojnë një eksperiencë cilësore, por me një kosto të arsyeshme./SCAN

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat