back to top
24.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaShqiptarëve po plaçkiten me çmimet e naftës/ Berisha publikon shifrat

Shqiptarëve po plaçkiten me çmimet e naftës/ Berisha publikon shifrat

Kryetari i Partisë Demokratike, Dr. Sali Berisha në konferencën e mbajtur me gazetarët ditën e stome, ka denoncuar çmimet e larta të naftës dhe taksat e shumta që shteti shqiptar vendos mbi të, duke i cilësuar ato si “plaçkitje” për qytetarët. Berisha theksoi se shqiptarët paguajnë 1.1 euro taksa për çdo litër naftë, një shumë shumë më e lartë se në shtetet me të ardhura më të larta si Luksemburgu dhe Maqedonia e Veriut. Berisha renditi taksat që përbëjnë këtë çmim, përfshirë akcizën dhe taksat e qarkullimit, dhe vuri në dukje ndikimin e këtyre çmimeve të larta në jetesën e qytetarëve dhe çmimet e produkteve të tjera.

Kryedemokrati, Sali Berisha akuzoi qeverinë për çmimet e larta të naftës dhe ka përmendur kontrabandën qeveritare të karburanteve si një shkak tjetër të rritjes së çmimit. Ai theksoi se kontrabanda e naftës është e mundur vetëm me mbështetje dhe pjesëmarrje të qeveritarëve, duke nxjerrë të dhëna që tregojnë se Shqipëria ka një prodhim të naftës më të ulët se sa Kosova, e cila zhdoganon më shumë naftë pa prodhim vendas.

Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se në vitin 2013, Shqipëria zhdoganohej 700 mijë ton naftë me 480 mijë automjete, ndërsa tani, me dyfishin e automjeteve, zhdogon vetëm 630 mijë ton naftë. Ai e cilësoi këtë si një abuzim të madh qeveritar dhe një formë të “kontrabandës qeveritare” që ndikon direkt në çmimin stratosferik të naftës.

Kryetari i PD, Sali Berisha ka premtuar se do të përgjysmohet ngarkesa fiskale mbi naftën në Shqipëri dhe çmimet do të ulen, duke i afruar ato me ato të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Ai tha se nafta nuk do të shitet kurrë më me një variacion çmimi më shumë se 10% krahasuar me këto dy vende. Berisha shpjegoi se Kosova merr naftë nga Durrësi dhe e shitet 40% më lirë, dhe se kjo “vjedhje” do të marrë fund. Berisha theksoi se do të ketë një rënie drastike të taksave mbi naftën, duke e vendosur Shqipërinë në nivele më të ulëta ngarkesash krahasuar me rajonin, dhe ka premtuar se kjo do të jetë pjesë e paketës së tij të 100 ditëve për të ndihmuar qytetarët shqiptarë.

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka premtuar se qeveria do të ulë çmimet dhe do të krijojë një “kartë konsumatori” për të rimbursuar TVSH-në e ushqimeve dhe produkteve bazë. Ai theksoi se kjo do të përkthehej në shtesë për pensionistët dhe ndihmë për qytetarët. Berisha kritikoi qeverinë për heqjen e subvencioneve dhe rritjen e taksave ndaj fermerëve, duke shkaktuar rënien e blegtorisë dhe prodhimit vendas. Ai premtoi rikthimin e politikave për mbështetje të prodhimit të brendshëm dhe uljen e varësisë nga importet.

Kryetari i PD, Sali Berisha prezantoi programin e 100 ditëve të para të PD-së, duke theksuar se do të përqendrohet në çështje emergjente si pensionet, minimumi jetik, rroga minimale, nafta dhe karta e konsumatorit. Ai premtoi rritje të menjëhershme të pensioneve dhe ndihmave sociale, duke siguruar 200 euro për ata që marrin pensione të ulëta. Berisha theksoi se do të synohet të vendoset Shqipëria në krye të rajonit për paga dhe pensione, dhe kritikuoi qeverinë aktuale për vjedhjen dhe mungesën e transparencës. Programi i plotë do të publikohet në shkurt.

Kryedemokrati, Sali Berisha premtoi se shteti do të marrë përsipër pagesën për fëmijën e tretë, duke mbuluar të gjitha shpenzimet e tij nga lindja deri në 23 vjeç. Ai tha se kjo masë do të jetë në përputhje me të ardhurat e familjes dhe ka efekt pozitiv në rritjen e natalitetit. Berisha theksoi se kjo është një nga mënyrat për të përballuar shpopullimin e Shqipërisë dhe për të ndihmuar në rikthimin e emigrantëve. Berisha kritikoi qeverinë aktuale për pasojat e shpopullimit dhe situatën e krijuar në vend.

Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi Pandeli Majkon si “kriminel elektoral” në Kukës, duke thënë se ai ishte përgjuar me vendim gjykate për lidhje me trafikantë droge dhe armësh. Berisha përmendi një rast ku Majko është regjistruar duke bërë pazare për blerjen e votave dhe përdorimin e parave për të ndihmuar në fushata elektorale. Ai e lidh këtë me korrupsionin dhe përfshirjen e Majkos në aktivitete kriminale, duke kritikuar gjithashtu dështimin e oficerëve të ligjit në trajtimin e këtyre veprimeve.

Berisha shprehu optimizëm për mbështetjen e shqiptarëve jashtë vendit, duke thënë se ata mezi presin të votojnë për të hequr qeverinë aktuale, që ai e akuzon si një “diktaturë droge.” Ai theksoi takimet e organizuara nga Partia Demokratike në vende si Itali, Greqi, SHBA dhe Britani, ku atmosfera ishte shumë pozitive, edhe pse nuk ishin zhvilluar në salla luksoze, për shkak të mundësive modeste financiare.

FJALA E PLOTË

Sot jam para shqiptarëve dhe para jush për të denoncuar publikisht plaçkitjen e madhe që u bëhet shqiptarëve në çdo litër naftë dhe për të paraqitur alternativën e PD-së.

Në vitin 2013, nafta në bursë ka qenë 97 cent, në Shqipëri është shitur me 140 lekë, në përputhje me kursin. Kurse me 7 prill të viteve më parë, nafta në bursë ka qenë 97.2 cent, në Shqipëri është shitur me 2.2 euro.

Në mars të po këtij viti që citoj, nafta në Maqedoni shitej me 1.3 euro. Në Slloveni, që ka të ardhurat disa herë më të larta, shitej me 1.4, kurse Austria me 1.35 naftën.

Nafta në Luksemburg, që ka të ardhurat mbi 100 mijë euro për banor, shitet 1.1 euro atë vit. Në Shqipëri shitej po atë ditë, 2 euro e 6 cent.

Nafta, se kam marrë disa raste që të nxirret një mesatare, në Shqipëri shitej me 239 lekë, në bursë ajo shitej me 1 gjer 1.8 dollarë. Kurse në SHBA, atë ditë nafta shitej 0.8 dollarë, pra pothuajse tre herë më lirë se në Shqipëri.

Janë vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje.

Kjo taksë e tmerrshme mbi shqiptarët shënon një grabitje të tyre të pamëshirë dhe vendos shqiptarët, njerëzit me rrogat më të ulëta në Europë, përballë çmimeve më të lartë në botë të naftës, më të larta se Singapori që i ka të ardhurat 80 mijë dollarë për frymë, më të larta se Luksemburgu që kryeson shpeshherë edhe botën për të ardhura për frymë.

Çfarë ndodh? Pse kjo?

Sepse nafta jo vetëm peshon në buxhetin e të gjithë atyre që kanë automjete dhe ata sot janë qindra mijëra, por peshon në çmimin e të gjitha produkteve që kërkojnë transport, dhe çdo produkt kërkon transport.

Pra, gjobën e naftës e paguajnë jo vetëm ata që kanë automjete, por edhe ata nuk kanë automjete, sepse kanë një përqindje të fortë, 15-20 përqind në çmim transporti i mallrave.

Pse këto çmime?

Dy janë faktorët më madhorë. Unë kam bërë një analizë që i duhet PD për të bazuar alternativën e saj sepse kjo do marrë fund 100 ditët e para të qeverisjes së saj. Ky qëndrim hyn në paketën 100-ditëshe.

Kjo tabelë tregon se Shqipëria është në krye, jo të gjitha taksat i tregon kjo kollonë, por tregon se është 0.60 për litër në Shqipëri dhe është vetëm 0.26 euro për litër në Maqedoninë e Veriut.

Janë pra në Shqipëri 3 herë më të larta se në Maqedoninë e Veriut. Janë dy herë më të larta se në Bosnje, janë dy herë më të larta se në Kosovë.

Për të zbërthyer tani të vërtetën e taksave që u merren shqiptarëve nëpërmjet naftës, kam tabelën e mëposhtme, të cilën po e lexoj.

Akciza: 38 lekë për litër.

Taksa e qarkullimit, e cila në vitin 2013 ka qenë 7 lekë, është sot 27 lekë.

Taksa e karbonit: 3 lekë.

Taksa e rilicencimit, se këta i ndajnë me lote: 7-10 lekë.

Markimi dhe skanimi: 3 lekë.

Kontrolli i pompave: 2 lekë.

Tvsh: 30 lekë.

Në total 1.130 lekë.

d.m.th secili shqiptar që blen një litër naftë, i paguan qeverisë për këtë litër nafte në mënyrën më kriminale 1 euro e 13 cent, që nuk ndodh në asnjë vend të botës.

Natyrisht ky tatim i qytetarëve për çdo litër nafte 1.1 euro është unik, nuk ekziston në asnjë vend përveçse në Shqipëri dhe në mënyrë të padiskutueshme kjo ka ndikim të fuqishëm në çmimin e naftës.

Pra, është qeveria me absurditetin dhe pangopshmërinë e saj që ndikon në këtë çmim, në parimin se ata që kanë makina, kanë edhe para për të blerë.

Po se kjo ndikon te të gjithë qytetarët në çmimet e mallrave që blejnë, kjo ka pak rëndësi për ta.

Por edhe ata që kanë makina, pjesa dërrmuse e tyre janë të mesëm dhe poshtë në të ardhurat që kanë.

Dhe është një qëndrim totalisht i vjetër, anakronik. Për vete shëtit me ‘Ismailin’, 21 milionë euro me 140 fluturime, kurse shqiptarët, thotë, makinat nuk duhet t’i përdorin ose le të bëjnë ç’të duan.

Por a është vetëm kjo shkaku i këtij çmimi stratosferik? Jo, nuk është vetëm kjo. Cila është tjetër? Kontrabanda qeveritare e naftës.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, nafta nuk mund të kontrabandohet pa bekimin direkt të qeveritarëve dhe pjesëmarrjes së tyre.

Po nga dalin të dhënat për këtë kontrabandë?

Shqipëria kishte në vitin 2024, 868 mijë automjete.

Kosova ka gjithsej 445 mijë automjete, pra pothuajse gjysëm për gjysëm më pak.

Por Kosova, me gjysmën e automjeteve të Shqipërisë, e cila nuk nxjerr asnjë ton naftë, zhdoganon 630 mijë ton naftë, kundrejt Shqipërisë me 550 mijë ton naftë.

Po, janë të dhëna zyrtare këto.

Urdhëroni se çfarë ndodh, gjykojeni vetë, në një kohë kur Shqipëria prodhon rreth 1 milion ton naftë, Kosova nuk prodhon asnjë litër. Maqedonia nuk prodhon asnjë litër, por cmimet atje janë të paktën 40 përqind më të ulëta se në Shqipëri.

Besoj se paraqitëm këtu disa të dhëna të abuzimit qeveritar të tmerrshëm me naftën.

Pra, për t’u theksuar, Shqipëria në vitin 2013 me 480 mijë automjete, zhdoganonte 700 mijë ton naftë. Kurse Shqipëria sot me dyfishin e automjeteve, zhdoganon 630 mijë ton naftë.

Nafta, siç e shihni, është ari i zi me të cilin qeveritarët dhe kontrabandistët vjedhin më shumë se me çdo gjë.

Tani, edhe njëherë e them, kontrabanda e naftës është kontrabandë qeveritare. Transportohet me tren ose anije.

Në vitin 2013, kishte 30 kompani të licencuara për naftën, sot janë reduktuar në 5 kompani.

Tani, ku qëndrojmë ne?

Cili është zotimi ynë?

Zotimi ynë është ky, në territorin e Republikës së Shqipërisë, nafta nuk do mund të shitet kurrë me variacion çmimi plus-minus 10 përqind me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, vende që nuk prodhojnë një litër naftë.

Kosova naftën e merr kryesisht nga Durrësi. Pra nafta nga Durrësi shkon në Prishtinë, transportohet dhe shitet 40 përqind më lirë. Merr fund kjo vjedhje e tmerrshme mbi shqiptarët.

Qeveria nuk ndërhyn në çmime, por qeveria nuk toleron kurrë spekulime.

Sikundër garantoj shqiptarët se ngarkesa fiskale mbi naftën, që është mbi qytetarët, do të njohë një rënie drastike. Do të përgjysmohet.

Nafta është energji dhe energjia është zhvillim.

Ndaj dhe kjo ngarkesë do të zbresë në nivelin e ngarkesave më të ulëta në rajon, në mënyrë që nafta në Shqipëri të zbresë në nivelet e ulëta, se ka vende në rajon që e kanë më të larta se Maqedonia dhe Kosova.

Këto dy vende do merren modeli i çmimit të naftës.

Do jetë kjo paketë e 100 ditëve, pjesë e paketës me të cilën ne synojmë t’u dëshmojmë shqiptarët se të ardhurat e tyre po rishpërndahen në një mënyrë më të ndershme dhe se do jenë ata përfitues kryesorë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat