Shoqëritë e sigurimit kanë paguar gjithsej 4.8 miliardë lekë për dëme gjatë periudhës janar-korrik 2025, sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Pjesa më e madhe e këtyre pagesave i përket sigurimeve motorike.
Sipas AMF-së, rreth 3.1 miliardë lekë janë paguar për rastet e aksidenteve të automjeteve që kanë pasur sigurim të përgjegjësisë motorike nga palët e treta (MTPL), duke përfshirë sigurimin e brendshëm, sigurimin kufitar dhe Kartonin Jeshil.
Pagesat e dëmeve janë rritur vetëm me 1% krahasuar me periudhën janar-korrik 2024, ndërsa numri i dëmeve të paguara është shtuar me 2,200 raste, duke arritur në 44,504. Nga këto, 95% i takojnë shoqërive të sigurimit jo-Jetës dhe 5% shoqërive të sigurimit të Jetës.
Aktiviteti jo-jetës ka regjistruar edhe vlerën më të lartë të dëmeve të paguara, me rreth 4.3 miliardë lekë për sigurimin motorik, të pronës dhe aktivitetet e tjera jo të jetës. Ndërkohë, vetëm 209 milionë lekë janë paguar nga sigurimi i jetës.
Nga ana tjetër, dëmet pezull, që janë në proces vlerësimi ose objekt çështjesh gjyqësore, kanë shënuar rritje.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, numri i aksidenteve rrugore në shtatë muajt e parë të vitit 2025 ka rënë me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Si rezultat, edhe pagesat e dëmeve kanë qenë më të ulëta.