Bashkia e Durrësit ka pezulluar shërbimet në sektorin e çerdheve dhe kopshteve.
Në ditët e fundit, kur duhet të kryehen procedura, të merren mandatet e pagesave dera e institucionit është mbyllur me pretekstin se janë me pushime.
Prindërit, të cilët zakonisht mbështeten tek këto institucione për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve të tyre, janë gjetur të papërgatitur për këtë situatë.
Shumë prej tyre kanë kaluar orë të tëra duke pritur në radhë, për të marrë një mandate pagese apo edhe për informacione të ndryshme.
Një punonjëse jashtë kësaj zyre, ka përzënë prindërit, duke thënë që të rikthehen nesër, pasi janë me pushime.
“Ku është parë që një institucion publik, i cili ka në dorë kujdesin për fëmijët, t’i vihet kyçi si të ishte biznes privat? Kjo nuk është thjesht një problem administrativ, është një rrezik për fëmijët dhe një shkelje e drejtpërdrejtë e detyrimeve të Bashkisë ndaj qytetarëve,” deklarojnë prindërit e revoltuar.
Ndërkohë, autoritetet e Bashkisë nuk kanë dhënë ende një shpjegim të qartë për mbylljen e çerdheve dhe kopshteve, duke lënë hapësirë për spekulime dhe shqetësime të mëtejshme për prindërit dhe komunitetin e Durrësit.