Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier ka lëshuar 14 masa sigurie ndaj përfaqësuesve të kompanisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, në kuadër të një hetimi të gjerë për mashtrim fiskal dhe veprimtari kriminale ekonomike.
Masat janë marrë për veprat penale: “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, të parashikuara nga nenet 144/a, 180/3, 287, 248 dhe 181/a të Kodit Penal.
Hetimi, i nisur më 30 dhjetor 2024 mbi procedimin penal nr.2063, është zhvilluar përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, Policinë e Fierit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, përfshirë metoda proaktive hetimi.
Prokuroria konfirmon se janë ekzekutuar 9 masa sigurie me karakter shtrëngues ndaj administratorit aktual të kompanisë H.X, ish-administratorit L.Ç, si dhe disa drejtuesve të tjerë të lartë: L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I dhe E.A. Ndërkohë, pesë shtetas të tjerë, kryesisht të huaj, janë shpallur në kërkim.
Gjatë kontrollit në ambientet e kompanisë dhe banesat e të dyshuarve, janë sekuestruar prova dhe sende që lidhen me veprimtarinë e dyshuar penale. Sipas hetimeve, kompania ka rezultuar me humbje për çdo vit nga 2004 deri në fund të 2024-s, pavarësisht se ka realizuar eksport dhe shitje karburanti në vlerën e mbi 532 miliardë lekëve.
Dyshohet se “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka fryrë fiktivisht shpenzimet për të shmangur pagesën e tatim-fitimit dhe ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme rimbursim të TVSH-së. Prokuroria thekson se janë falsifikuar dokumente dhe janë kryer transaksione të dyshimta me individë dhe kompani brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit përllogaritet në miliona euro. Hetimet vijojnë, pasi dyshohet për një rrjet të gjerë skemash mashtruese dhe përfshirje të kompanive dhe individëve të tjerë.