Dasma e djalit të Jozefina Topallit, Genar Topalli, me ish-Miss Shqipërinë Cindy Marinën, e mbajtur në Itali, vijon të jetë në qendër të vëmendjes mediatike.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Top Story” në Top Channel, Floriana Garo, e cila ishte e ftuar në ceremoni, dha më shumë detaje rreth ngjarjes dhe kostos së saj, duke u përfshirë në një debat të fortë me analistin Arjan Curri.
Garo theksoi se familja e Cindy Marinës ka mbuluar pjesën kryesore të shpenzimeve të dasmës dhe se mundësitë ekonomike të saj janë shumë më të mëdha sesa pretendohet.
“Familja Marina e ka organizuar këtë dasmë për t’i plotësuar dëshirën vajzës së tyre. Çifti ka marrë pjesë në shpenzime. Dasma është cilësuar luksoze, por unë nuk kam parë ndonjë luks që nuk është parë në Shqipëri. Kjo është diçka që dy prindër biznesmen mund ta paguajnë. Familja Marina ka shumë më tepër se çfarë ka shpenzuar në atë dasmë.”
Sipas saj, donacioni për kishën ka qenë “nën 1 mijë euro” ndërsa ceremonia e darkës ishte normale, por e veçantë për shkak të vendndodhjes në Romë.
Analisti Arjan Curri kundërshtoi fuqishëm duke vënë në pikëpyetje mundësitë financiare të familjes Marina:
“Nuk kanë mundësi ekonomike për atë dasmë. Vetëm nëse kanë shpenzuar gjysmën e pasurisë.”
Ai iu referua edhe një emisioni të vitit 2016, duke thënë se aty pasqyrohet realisht pasuria e familjes.
Garo iu përgjigj duke theksuar se “pasuria për 10 vjet shumëfishohet” dhe se çmimet e përmendura publikisht janë të fryra.
Pavarësisht sqarimeve, polemikat mbi shpenzimet dhe simbolikën e dasmës së Genar Topallit dhe Cindy Marinës vijojnë të ndajnë opinionin publik, duke u shndërruar në një nga temat më të diskutuara të ditëve të fundit.