back to top
28.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaSkemat offshore të kompanive të huaja: A është Bankers vetëm maja e...

Skemat offshore të kompanive të huaja: A është Bankers vetëm maja e ajsbergut?

Etleva Skonja

Një kompani e huaj me miliarda fitime, një drejtues i saj i arrestuar, një gjykatë shqiptare që vendos për herë të parë masa të rënda ndaj një investitori të madh, dhe prapa gjithë kësaj,  një skemë që mund të jetë vetëm maja e ajsbergut.

Bankers Petroleum, kompania kanadeze me aktivitet në industrinë shqiptare të naftës prej vitesh, është në qendër të një hetimi të gjerë penal për evazion fiskal, fshehje të të ardhurave, pastrim parash dhe mashtrim me skema të rreme tatimore.

Por përtej këtij rasti të bujshëm që ka tronditur opinionin publik, rasti Bankers ka hapur kutinë e Pandorës për diçka më të madhe si përdorimin sistematik të strukturave offshore nga kompani të huaja për të shmangur taksat në Shqipëri.

Skema që po del në dritë

Sipas dosjes së Prokurorisë së Fierit, e cila aktualisht ndodhet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Bankers dyshohet se ka ndërtuar një skemë komplekse për të shmangur detyrimet tatimore, përmes nënkontraktimeve me kompani të lidhura jashtë vendit, transferimeve të qëllimshme të fitimeve drejt juridiksioneve me tatim të ulët ose zero (offshore), faturimeve fiktive për shërbime apo produkte që realisht nuk janë ofruar në Shqipëri si dhe manipulimit të kostove të operimit, për të ulur fitimin e deklaruar.

CEO aktual i kompanisë, shtetasi kinez Hongping Xiao, dhe ish-administratori Leonidha Çobo ndodhen në arrest me burg, ndërsa 12 zyrtarë të tjerë përballen me masa më të lehta sigurie.

Përdorimi i strukturave offshore në Shqipëri

Por a është Bankers një rast i izoluar? Të dhënat që kanë dalë nga ky hetim, si dhe paralajmërimet e ekspertëve të ekonomisë dhe transparencës fiskale, sugjerojnë të kundërtën.

Shumë kompani të huaja që operojnë në Shqipëri, veçanërisht në sektorët e energjisë, ndërtimit dhe mineraleve, përdorin juridiksione offshore për të kontrolluar aktivitetin e tyre. Këto juridiksione përfshijnë vende si Ishujt Kajman, Qipro, Panama, Ishujt Virgin Britanikë, Luksemburg apo Hollandë,  në disa raste si vende tranziti.

Në shumë raste, këto kompani krijojnë filiale ose degë në Shqipëri, por kontrollohen nga “prindër” të regjistruar në vende ku identiteti i pronarëve nuk është publik dhe ku taksat janë minimale.

Ekspertë të fushës së tatimeve dhe auditimit tregojnë për një praktikë të njohur si “profit shifting”,  transferimi i fitimeve nga vendi ku gjenerohen (në këtë rast, Shqipëri), drejt vendeve me taksa të ulëta.

“Është një fenomen që ndodh prej vitesh. Kompanitë nënfaturojnë produktet që eksportojnë nga Shqipëria, ndërkohë që i mbifaturojnë shërbimet që marrin nga selitë e tyre offshore. Kështu, fitimi zhduket, dhe në Shqipëri nuk mbetet asnjë bazë tatimore,” – thotë për ne një ish-zyrtar i lartë tatimor, në kushtet e anonimitetit.

Institucionet shqiptare, të vonuara dhe të dobëta

Megjithëse rasti i Bankers është i pari që arrin të përballet në këtë nivel me drejtësinë, ai ngre pikëpyetje të mëdha mbi rolin e institucioneve shqiptare.

Ku ishin tatimet ndër vite?

A ka pasur sinjalizime të brendshme që janë injoruar?

Sa kompani të tjera veprojnë me të njëjtin model, por nuk janë hetuar kurrë?

Organet e kontrollit fiskal në Shqipëri kanë qenë shpesh të kapura politikisht ose të paafta teknikisht për të audituar struktura të tilla komplekse ndërkombëtare.

Përveç strukturave tatimore, rasti ka edhe një tjetër shtresë të errët si, heshtjen politike.

Kompanitë e mëdha janë shpesh edhe kontribuues në fushata zgjedhore, sponsorë të padeklaruar, apo të lidhur përmes kontratave koncesionare me figura politike në pushtet.

Në këtë kuptim, rasti Bankers është një përjashtim i rrallë, ndoshta edhe si pasojë e presionit të ri që po sjellin institucionet e drejtësisë së re.

A do të vijojnë hetimet më tej?

Burime nga brenda sistemit të drejtësisë sugjerojnë se rasti Bankers ka nxitur edhe hetime të tjera, jo vetëm ndaj kompanive të ngjashme, por edhe ndaj zyrtarëve të administratës që kanë miratuar veprime të dyshimta apo kanë heshtur ndaj shkeljeve flagrante.

Rasti i Bankers Petroleum është më shumë se një proces penal ndaj disa zyrtarëve. Është një pasqyrë mbi një sistem të tërë të ndërtuar për të mos paguar detyrimet, ndërkohë që qytetarët dhe bizneset e vogla përballen çdo ditë me penalitete, gjoba dhe inspektime.

Nëse drejtësia nuk e shfrytëzon këtë moment për të goditur rrënjët sistemike të evazionit dhe abuzimit me strukturat offshore, Bankers do të mbetet thjesht një rast i izoluar, një majë akulli që fshihet shpejt nga valët e zakonshme të pandëshkueshmërisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat