I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, qëndron në Prishtinë më 6 gusht.
Viztën ai e nisi me një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Më pas, siç mëson Radio Evropa e Lirë, emisari evropian do të takohet me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në orën 11:00.
Vizita e emisarit evropian vjen në kohën kur Serbia ka paralajmëruar se nuk mund të ketë dialog me Kosovën, për normalizimin e raporteve, pa lirimin e një zyrtari të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.
Igor Popoviq u ndalua në Kosovë më 18 korrik. Ndaj tij, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, pasi gjatë një fjalimi në Rahovec e kishte quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.
Raundi i fundit i dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja, ishte mbajtur më 10 qershor. Pas këtij takimi mes kryenegociatorëve të dy shteteve, Sorensen deklaroi se po bëheshin përgatitje për një takim të nivelit të lartë.