back to top
17.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaSubvencione me faturë politike?/ Kush përfiton realisht nga Skema Kombëtare

Subvencione me faturë politike?/ Kush përfiton realisht nga Skema Kombëtare

Për të dytin vit radhazi, Qeveria shqiptare po aplikon Skemën Kombëtare të Investimeve, një politikë mbështetëse që synon të rrisë efikasitetin dhe cilësinë e punës në bujqësi përmes mekanizimit dhe pajisjeve moderne. Kjo skemë synon të ndryshojë realitetin e fermerëve shqiptarë, ku ende një pjesë e mirë e tokës punohet me mjete primitive, ndërsa prodhimi shpesh mbetet i pambështetur.

Grant deri në 5 milionë lekë për fermerë: çfarë mbulon dhe si funksionon?
Skema ofron mbështetje deri në 50% të vlerës totale të faturës tatimore për blerjen e pajisjeve bujqësore, me një kufi maksimal deri në 5 milionë lekë për subjekt. Mjetet që mund të përfitohen përfshijnë traktorë, makineri të ndryshme për përpunimin e tokës, sistemet e ujitjes, si dhe pajisje për blegtori, bletari apo përpunimin e fruta-perimeve.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR), viti i kaluar (2024) regjistroi 404 aplikime, nga të cilat 305 ishin për mekanikë bujqësore, një tregues i qartë i nevojës emergjente për teknologji në këtë sektor.

Nga aplikimi te financimi: sa përfiton realisht fermeri?

Vlera mesatare e pajisjeve të kërkuara nga fermerët për mekanikë bujqësore luhatet nga 30 deri në 36 mijë euro, ndërkohë që gjysma e saj mbulohet nga fondi i grantit, dhe pjesa tjetër nga vetë fermeri.

Për të lehtësuar këtë pjesë, Fondi i Garancisë Sovrane i vë në dispozicion kredinë e nevojshme nëpërmjet bankave të nivelit të dytë, ku shteti garanton 80% të kolateralit. Kjo është një risi që synon të minimizojë rrezikun financiar për fermerët që nuk zotërojnë pasuri për të vendosur si garanci bankare.

Çfarë përfshihet në Skemën e Investimeve 2025?

Skema për vitin 2025 përfshin nëntë masa të mbështetjes, që kapin të gjithë ciklin bujqësor:

Mbjellja e fidanëve të pemëve frutore

Pajisjet për përpunimin e fruta-perimeve

Mekanika bujqësore dhe blegtorale

Ndërtimi i stallave dhe struktura ndihmëse për blegtori

Bletaria dhe mjetet e saj të specializuara

Aplikimet për këtë skemë janë hapur më 30 korrik dhe do të vijojnë deri më 30 shtator 2025.

Ndonëse në pamje të parë skema përfaqëson një politikë konkrete dhe të orientuar drejt modernizimit të bujqësisë, disa pyetje mbeten ende të hapura:

A është procesi i aplikimit realisht i aksesueshëm për fermerët e vegjël në zonat e thella?

A ka një shpërndarje të drejtë të fondeve, apo përfitojnë vetëm një grup i kufizuar subjektesh me lidhje më të forta institucionale?

Të dhënat zyrtare për efektet reale ekonomike, si rritja e të ardhurave të fermerëve, rritja e rendimentit për hektar, apo ulja e kostove të prodhimit, mungojnë në raportimet publike. Këto janë tregues kyç për të kuptuar nëse kjo skemë është një investim real apo thjesht një ndihmë e përkohshme që nuk adreson thellë problemet strukturore të bujqësisë shqiptare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat