Komisioni i Integrimit në Kuvendin e Shqipërisë do të mblidhet të hënën për grup-kapitullin 6 (Cluster 6). Kështu ka njoftuar kryetarja e Komisionit Parlamentar për Çështjet Evropiane, Jorida Tabaku.
“Ka mbërritur pozicioni negociues për grup-kapitullin 6, të hënën Komisioni i Integrimit mbledhje me dyer të mbyllura”, deklaroi Tabaku.
Përfaqësuesit e Përhershëm në Këshillin e Bashkimit Evropian vendosën më herët që t’i kërkojnë Shqipërisë qëndrimin e saj për grup-kapitullin e 6-të, i cili trajton marrëdhëniet e jashtme.
“Në Coreper-in e sotëm, ambasadorët vendosën t’i kërkojnë Shqipërisë që të ndajë qëndrimin e saj në lidhje me Cluster 6 (Marrëdhëniet e Jashtme). Në të njëjtën kohë, Këshilli i BE-së do të fillojë punën për qëndrimin e tij të përbashkët, për të përgatitur IGC-në e radhës me Shqipërinë”, shkruan Presidenca hungareze e Këshillit të BE-së.