Turi i Francës mbetet në duart e skuadrës Alpecin-Deceuninck pas dy etapave të para. Pas fitores së Japer Philpsen në etapën hapëse të së shtunës, dje komandën e mori Mathieu Van der Poel. Kampioni holandez mposhti në një sprint të fortë final favoritin Tadej Pogacar (UAE Team Emirates), duke marrë kështu fanellën e verdhë në përfundim të etapës së dytë Lauwin Planque – Boulogne sur Mer, me distancë 209.1km.
Fazat e fillimit të garës u shënuan nga një shkëputje e përbërë nga Yevgeniy Fedorov (XDS Astana), Bruno Armirail (Decathlon Ag2r La Mondiale Team), Brent Van Moer (Lotto) dhe Andreas Leknessund (Uno X Mobility). Këta çiklistë, pavarësisht një rrëzimi të shkaktuar nga shiu i rrëmbyeshëm, arritën të fitonin mbi tri minuta avantazh ndaj grupit. Megjithatë, të arratisurit u kapën rreth 50 kilometra larg vijës së finishit, pak para sprintit të ndërmjetëm të fituar nga Jonathan Milan (Lidl-Trek), një moment vendimtar që i vuri ekipet e mëdha në krye.
Së pari Ekipi i UAE dhe më pas Ekipi Visma Lease a Bike dhe Soudal Quick-Step. Në fund, përpjekja për shkëputje nga Florian Lipowitz (Red Bull Bora-Hansgrohe) i frikësoi favoritët, të cilët megjithatë rikuperuan në ngjitjen e fundit ku Van der Poel fitoi ndaj Pogacar dhe Jonas Vingegaard të ekipit Visma. “Finalja ishte shumë më e vështirë nga sa prisja”, pranoi Van der Poel menjëherë pas fitores së tij në etapën e dytë. “Isha shumë i motivuar.
Fitorja ime e fundit në një etapë në Turin e Francës ishte katër vjet më parë dhe tani ishte koha për një tjetër”, u shpreh holandezi, i cili më pas shtoi: “Kur sheh kalibrin e çiklistëve që kisha përballë në fund, duhet të them se jam vërtet krenar për veten time. Ishte një ditë tjetër e vështirë dhe e tensionuar atje. Është një fillim ëndrrash për ne si ekip. Çdo gjë që vjen pas kësaj është thjesht një bonus” përfundoi Va nder Poel. Edicioni i 112- të i Turit të Francës do të vijojë sot me etapën e tretë, Valenciennes – Dunkerque, me distancë 178.3 km.