Të premten hapen zyrtarisht regjistrimet për studentët e rinj në universitete. Pjesa më e madhe e maturantëve kanë zgjedhur institucionet publike, ku peshën më të madhe e mban sërish Universiteti i Tiranës.
Sipas rektorit Artan Hoxha, rreth 60% e maturantëve të këtij viti kanë aplikuar për të vijuar studimet në Universitetin e Tiranës, duke e konfirmuar si qendrën më të madhe të arsimit të lartë në vend.
Degët më të kërkuara
Në krye të listës së preferencave të të rinjve janë programet e Ekonomisë dhe Drejtësisë, që vijojnë të rrisin kërkesën nga viti në vit.
Në kontrast të fortë me degët e ekonomisë e drejtësisë, situata në programet e mësuesisë paraqitet alarmante. Vetëm në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, këtë vit ka pasur 600 aplikime më pak krahasuar me një vit më parë.
“Nevoja për politika qeveritare për mbështetjen e profesionit të mësuesit është e domosdoshme”, – tha rektori Hoxha, duke theksuar se rënie të ndjeshme priten edhe në Gjuhë të Huaja dhe Histori-Filologji, kryesisht në profilet mësuesi.
Procesi i regjistrimeve
Pas shpalljes së fituesve, më 29 gusht nis raundi i parë i regjistrimeve në universitete. Procesi do të zhvillohet në 7 faza 48-orëshe dhe do të zgjasë rreth dy javë. Pas tij, do të nisë raundi i dytë për plotësimin e kuotave të mbetura bosh nga lëvizjet e listave.