Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë seancës në Gjykatën Kushtetuese, tha se pjesëmarrja e tij në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ishte iniciativa e tij, pasi u njoftua vetëm disa orë para se të parashtronte argumentet e tij me shkrim.
Veliaj shtoi se stafi i tij është mësuar që ai nuk merr asnjëherë pushime, por për 15 ditë mungesë, sipas tij, “zelli politik kapërceu Kushtetutën”.
“Në kushtet e izolimit nuk lejohet laptop, kam një USB, por nuk kam ku ta hap për ta shikuar. Koha e pamjaftueshme, e inicova unë procedurën, por Këshilli Bashkiak duhet të më kishte njoftuar,” – tha Veliaj, duke shtuar se kërkesa e tij e parë u bë 15 ditë pas arrestimit.
Ai gjithashtu theksoi se nuk ka penguar funksionimin e Bashkisë së Tiranës:
“Në çdo rast që më është kërkuar të veproj, kam vepruar. Nuk kam penguar unë Tiranën të mbjellë pemë apo të pastrohet qyteti. Nuk është penguar Tirana të ketë ujë, drejtorët aty janë. Institucionet kanë qenë aty. Një pjesë e shtetit kërkon që të rri në Durrës në internim, të tjerë thonë përse nuk kam ardhur. A është i njëjti shtet ky?” – u shpreh Veliaj.
Deklaratat e tij u dhanë gjatë shqyrtimit të çështjes së pezullimit të zgjedhjeve në Tiranë, ku Gjykata Kushtetuese po shqyrton kompetencat e institucioneve përkatëse dhe të drejtën e kryebashkiakut për të kryer detyrën.



 
                                    