Ka kaluar një muaj që nga vrasja e Martin Canit, 14-vjeçarit që u godit me thikë për vdekje nga bashkëmoshatari i tij në afërsi të shkollës “Fan Noli”.
Sot, prindër dhe fëmijë kanë nisur marshimin nga shkolla Fan Noli në drejtim të Ministrisë së Arsimit.
Në 30 ditë, janë zhvilluar disa protesta për vrasjen e adoleshentit. Në tubime kanë marrë pjesë prindër, fëmijë, politikanë, personazhë të njohur e aktivistë të shoqërisë civile.
Në protesta, qytetarët kanë kërkuar siguri në shkolla për fëmijët dhe dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.
Nëna e Martin Canit në lot: E kam çdo moment në sy
Në fjalën e saj, mamaja e Martinit, ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë atyre që nuk mbrojtën dot djalin saj.
“Kam rritur e edukuar një fëmijë, kam punuar vetë në arsim, e kam rritur me vuajtje, por ma morën, ja morën ëndrrat, me morën jetën e shpresat. Kërkoj të japin dorëheqjen ata që nuk e mbrojtën Martinin, që nga dera e shkollës e deri tek ministrja dhe Rama.
Martini ishte një fëmijë i buzëqeshur, e kam cdo moment në sy! Kishte ëndrra të mëdha”, tha ajo.
Mes dhimbjes ajo ka kërkuar drejtësi jo vetëm për Martinin por edhe për Luisin që tashmë e konsideron si djalin e saj.
Ndër të tjera ajo ka folur edhë për autori duke thënë se është fëmija dhe se përgjegjësia shkon më lart se ai që përdori thikën.
“Për autorin nuk dua të them gjë, ai ishte fëmijë si fëmija ime. Por kjo mund të parandalohej, Dua dorëheqjen e të gjithë atyre që nuk më njoftuar, mësuesja kujdestare nuk më njoftoi që kishin grindje. Dua drejtësi për Martinin dhe Luisin. Falë zotit që ma fali Lusin sepse ai është edhe fëmija im tani”, tha ajo.
Më tej ajo ka treguar bisedat që bënte me Martinin, këshillat që i jepte.
“Bëja pa fund biseda për të, i thoja Martin kujdes biri im sepse ka shumë njerëz që nuk duhet tua kesh besën. Ende nuk e di përse ndodhi kjo, fëmija im nuk ishte agresiv, e kam rritur me shumë dashuri.
Zgjodha të punoja 4 orë që ta rrisja e të isha pranë.
Pse nuk dalin e të thonë një fjalë, ka 30 ditë që qaj e rënkoj. Nuk di çfarë të bëj. Kërkoj dorëheqje të na qetësohet pak shpirti. Po na vrasin çdo ditë e më shumë.
Nuk kam më frikë për askënd e asgjë, le të më vrasin këtu, unë kërkoj drejtësi!”, tha nëna e Martin Canit në protestën që po mbahet për vrasjen e 14 -vjeçarit.